Pasuria luksoze e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski rikthehet në qendër të vëmendjes. Tri apartamente të konfiskuara nga shteti, pas vendimit të formës së prerë në rastin “Parcelat në Vodno”, janë nxjerrë sërish në ankand publik me një vlerë fillestare prej 2.46 milionë euro.
Bëhet fjalë për tri prona ekskluzive në kompleksin elitë në Vodno, të pajisura me standarde të larta luksi, tarraca panoramike, xhakuzi dhe pamje mbi gjithë Shkupin.
Dy apartamente kanë nga rreth 200 metra katrorë hapësirë banimi dhe tarraca prej afro 50 metrash katrorë secila. Çmimi fillestar për secilën pronë është 850.000 euro.
Apartamenti i tretë ka rreth 150 metra katrorë hapësirë banimi dhe një ballkon prej 95 metrash katrorë, ndërsa do të dalë në ankand me çmim fillestar prej 760.000 euro.
Çmimi mesatar fillestar kalon 3.400 euro për metër katror, ndërsa pritet që gjatë ankandit publik, i caktuar për 29 korrik, vlera të rritet përmes ofertave të pjesëmarrësve. Publiku do të ketë mundësi t’i vizitojë apartamentet më 16 korrik.
Kjo nuk është tentativa e parë për shitjen e tyre. Dy nga apartamentet ishin nxjerrë edhe më herët në ankand, por nuk u gjet asnjë blerës.
Konfiskimi i këtyre pronave erdhi pas vendimit gjyqësor në rastin “Parcelat në Vodno”, ku Nikolla Gruevski u dënua me nëntë vjet burg. Sipas aktgjykimit, rasti lidhej me përvetësimin e paligjshëm të rreth 1.3 milionë eurove nga donacionet partiake, para që, sipas gjykatës, u përdorën për blerjen e tokës dhe ndërtimin e këtyre pronave luksoze.
Ankandi i 29 korrikut pritet të jetë një nga shitjet më të mëdha të pasurisë së konfiskuar në Maqedoninë e Veriut, me interes të madh si për investitorët, ashtu edhe për opinionin publik.

