23 Prill 2026 09:11

Arrestohet ish-kreu i FFM-së, Muhamet Sejdini

SHKUP, 23 PRILL – Një operacion i koordinuar mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë Publike ka çuar sot në pranga ish-kryetarin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), Muhamet Sejdini. Ai dyshohet për një skemë të rëndë korrupsioni që lidhet me keqpërdorimin e qindra mijëra eurove të destinuara për infrastrukturën sportive.

Sipas burimeve të hetuesisë, bëhet fjalë për një shumë prej rreth 700,000 eurosh, fonde këto të siguruara nga UEFA për zhvillimin e futbollit në vend. Pika kritike e hetimit është projekti për ndërtimin e një tribune në qytetin e Ohrit. Dyshimi kryesor: Mjetet financiare, në vend që të investoheshin në terren, dyshohet se janë tjetërsuar përmes menaxhimit të kundërligjshëm. Denoncimi: Kanë qenë drejtuesit e rinj të FFM-së ata që, pas marrjes së detyrës dhe auditimeve të brendshme, kanë hasur në “gropa” financiare dhe parre gullsi flagrante, duke i dorëzuar provat në Prokurori.

Ky arrestim nuk vjen si rrufe në qiell të hapur për Sejdinin. Emri i tij ka qenë i lakuar edhe më herët në korridoret e drejtësisë.

“Ky nuk është rasti i parë që Sejdini përfshihet në procedura hetimore. Menjëherë pas ndryshimit të pushtetit, ai u përball me akuza të tjera, të cilat ende presin një epilog final gjyqësor,” bëjnë me dije burimet.

Ndërsa aksioni është ende në zhvillim e sipër, organet e rendit janë në fazën e zbardhjes së plotë të mekanizmit të përdorur për këtë keqpërdorim. Gjatë orëve në vijim pritet që MPB dhe Prokuroria të dalin me një deklaratë zyrtare për të sqaruar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.