14 Prill 2026 16:31

Magyar jep indikacione se do ta dëbojë nga Hungaria Nikola Gruevskin

Kryeministri i ri në ardhje i Hungarisë, Peter Magyar ka dërguar një mesazh të ashpër ndaj ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Nikola Gruevski, duke paralajmëruar ndryshime radikale në politikën e azilit pasi erdhi në pushtet.

Magyar, në paraqitjen e tij të fundit publike, ishte i prerë se Hungaria nën udhëheqjen e tij do të ndalojë mbrojtjen e politikanëve të huaj me të kaluar kriminale.

Magyar tha se Hungaria nuk duhet të jetë një strehë për njerëzit e akuzuar ose të dënuar për krime, duke theksuar se kjo vlen edhe për politikanët e huaj, si dhe për Gruevskin. Ai tha se pret që vendet e tjera evropiane të veprojnë në të njëjtën mënyrë dhe të kthejnë politikanët hungarezë nëse i shpëtojnë drejtësisë.

– Epo, mendoj se fola shumë qartë për këtë më parë, se sugjerova që të mos blejnë mobilje në Hungari nga IKEA sepse nuk do të qëndrojnë gjatë. Hungaria nuk do të jetë një strehë për kriminelët ndërkombëtarë. Dhe kjo nuk vlen vetëm për ta, por edhe për z. Nikola Gruevski, ish-kryeminsterin e Maqedonisë së Veriut, i cili është gjithashtu një i dënuar. Por nuk është për shkak se kjo është e drejtë që ne presim që edhe vendet e tjera evropiane, nëse kriminelët politikë hungarezë ikin në vende të tjera, t’i ekstradojnë përsëri tek ne, në frymën e bashkëpunimit evropian, këta kriminelë të mundshëm – deklaroi ai.

Ai theksoi se, në frymën e bashkëpunimit evropian, të gjithë personat me vendime të formës së prerë do të ekstradohen në vendet e tyre të origjinës.

Magyar shtoi se i njëjti standard duhet të vlejë edhe për politikanët hungarezë që mund të tentojnë t’i shmangen drejtësisë duke u arratisur jashtë vendit.

Fund “parajsës për të arratisurit nga drejtësia”

Kjo deklaratë vjen në një kohë debatesh të forta në Hungari për keqpërdorimin e institucioneve të azilit për mbrojtjen e aleatëve politikë të pushtetit aktual.

Magyar nënvizoi se është e domosdoshme që këta persona “të kthehen në shtëpi dhe të përballen me qytetarët”, në mënyrë që të pastrojnë emrin e tyre përmes një sistemi të pavarur gjyqësor.

Sa i përket rastit të Gruevskit, i cili mori azil politik në Budapest në vitin 2018 për të shmangur vuajtjen e dënimit me burg në Maqedonia e Veriut, Magyar ishte i qartë: “Do të gjejmë mënyrë për t’i ekstraduar.”