29 Janar 2026 18:38

Albana Koçiu vlerëson Ali Ahmetin: Një zë që e ka Shqipërinë në zemër

Ministrja e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, Albana Koçiu, ka vlerësuar figurën e liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, gjatë një takimi të zhvilluar në Tetovë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçiu e cilësoi Ahmetin si një mik të vjetër dhe një zë që gjithmonë e ka Shqipërinë në zemër, duke theksuar rolin e tij në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve në rajon.

Ajo nënvizoi se takimi u zhvillua në një frymë të hapur dhe miqësore, ku u diskutua për vizionin e përbashkët, përgjegjësinë ndaj shqiptarëve kudo që jetojnë, si dhe për nevojën e ruajtjes së lidhjeve të forta dhe të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ministrja Koçiu shprehu mirënjohje për, siç u shpreh ajo, urtësinë dhe qëndrueshmërinë e Ali Ahmetit, duke e cilësuar atë si një pikë orientimi në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.