Fenomeni Mohamed Ali nuk bën fjalë për boksin, por për simptomën e radhës që po trondit politikën dhe sistemin demokratik suedez.
Nga Astrit Gashi
Zhurma mediatike dhe politike që shpërtheu pasi një kandidat thuajse i panjohur nga radhët e Partisë së majte (Vänsterpartiet) u zgjodh deputet në Dalarna përmes vetëm 648 votave preferenciale, kjo nuk është një ngjarje e izoluar. Ajo zbuloi një të vërtetë të hidhur që Suedia ka preferuar ta fshehë nën tapet për dekada me radhë: dështimin struktural të modelit të saj të integrimit.
Somalezët në Borlänge bënë atë që do të bënte çdo grup tjetër shoqëror i paintegruar të cilet u organizuan sipas lidhjeve të tyre natyrore për të çuar një përfaqësues të komunitetit në parlament.
Nëse kjo përbën problem për demokracinë suedeze, fajtori nuk është kandidati apo votuesit që u futën në zgjedhje me mbështetje grupi, por shteti që e la atë komunitet jashtë rrjedhës kryesore të shoqërisë dhe partitë që preferuan votën e shpejtë të bllokut në vend të integrimit të vërtetë individual.
Sistemi demokratik suedez është ndërtuar mbi premisën e individit të emancipuar qytetarit të pavarur që analizon programet politike, peshon idetë dhe voton mbi bazën e bindjeve personale në fshehtësi të plotë. Mirëpo, ky model bie ndesh me realitetin e krijuar në terren.
Shteti suedez vendosi mijëra njerëz të ardhur nga shoqëri me traditë të fortë kolektive e klanore në zona të izoluara socio-ekonomikisht (särskilt utsatta områden). Enklavat si Kupolen në Borlänge, Rosengård në Malmö, Rinkeby, Tensta, Husby, Ronna, Geneta, Fittja, Alby apo Hammarkullen, u ndërtuan kryesisht gjatë programit shtetëror të banimit Miljonprogrammet (1965–1974).
Sot, ato janë kthyer në hapësira pothuajse tërësisht të banuara nga popullsi me origjinë emigrante, me shkallë të lartë papunësie, izolim gjuhësor dhe mungesë besimi te institucionet.
Në këto lagje është krijuar një ekosistem paralel ku mund të jetosh për dekada me radhë pa mësuar suedisht, pasi shërbimet ditore, tregtia, shoqëria dhe mediat funksionojnë plotësisht në gjuhën e origjinës.
Kur shteti dështon të ofrojë mjete të mirëfillta të integrimit ekonomik dhe arsimor, krijohet një vakuum i rrezikshëm institutional.

Në mungesë të pranisë reale të shtetit dhe integrimit individual, njerëzit natyrshëm i kthehen asaj që njohin më mirë për të pasur zë: rrjeteve joformale, solidaritetit etnik dhe udhëheqësve lokalë.
Organizimi në grup apo “votimi klanor” nuk lindi si një komplot kundër demokracisë suedeze, por si një strategji vetëmbrojtjeje sociale dhe politike.
Pjesa më hipokrite e këtij debati qëndron te reagimi i vetë klasës politike suedeze. Për vite me radhë, partitë tradicionale sidomos ato të majta, por jo vetëm zgjodhën rrugën e komoditetit:
Në vend të punës së vështirë derë më derë për edukimin qytetar dhe integrimin individual, ato preferuan paktin e heshtur me “liderët e lagjeve”, kryetarët e shoqatave apo udhëheqësit fetarë.
Logjika e këtij pakti ishte e thjeshtë: ju na garantoni votat e bllokut në zonat rrethuese, ne ju garantojmë fondet, projektet dhe përfaqësimin simbolik.
Sot, kur kjo metodë prodhoi efektin e saj logjik kur një komunitet organizohet për të përmbysur listat partiake me votë preferenciale të gjitha palët politike shfaqin pafuqinë e tyre:
E djathta (SD) ngutet ta etiketojë këtë dukuri me retorikë të rëndë si “röstboskap” apo “kërcënim klanor”, duke stigmatizuar të gjithë komunitetin në vend që të adresohet dështimi i politikave të integrimit.
E majta (Vänsterpartiet, S) tmerrohet nga paaftësia e saj për të kontrolluar listat zgjedhore dhe hamendëson mbi rregullat e lojës, e kapur shpesh nga frika e debatit të hapur për të mos ushqyer narrativën e të djathtës.
Zgjidhja e krizës nuk vjen duke fajësuar emigrantët që shfrytëzuan rregullat e lojës që vetë sistemi ua ofroi. “Fenomeni Mohamed Ali” është një kambanë alarmi për të gjithë shoqërinë dhe shtetin suedez.
Politika duhet të kuptojë se antirasismi dhe inkludimi kërkojnë integrim të vërtetë dhe emancipim të individit. Pa një model që e sheh emigrantin si qytetar të pavarur me të drejta dhe detyrime të barabarta dhe jo simpel si një numër votash në kohë zgjedhjesh, demokracia do të vazhdojë të përballet me pasojat e strukturave paralele që vetë neglizhenca shtetërore i krijoi me dekada.

