17 Janar 2026 14:22

Spiropali nga Kievi: Shqipëria krenare për miqësinë dhe mbështetjen ndaj Ukrainës

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka falënderuar Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për pritjen e ngrohtë gjatë vizitës së saj zyrtare, duke vlerësuar forcën dhe qëndresën e popullit ukrainas si një shembull frymëzues për botën.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shprehu mirënjohjen e saj ndaj kreut të shtetit ukrainas, duke theksuar se Ukraina ka dëshmuar dinjitet dhe vendosmëri në një nga periudhat më të vështira të historisë së saj.

“Faleminderit Presidentit Zelensky për pritjen e ngrohtë dhe për forcën e shembullit frymëzues që ai dhe populli ukrainas i kanë dhënë botës në këto vite aspak të lehta”, shkroi ministrja.

Ajo citoi edhe shkrimtaren e njohur ukrainase Lesya Ukrainka, duke nënvizuar se vlera e forcës kuptohet vetëm në kohë sfidash të mëdha. Sipas Spiropalit, forca e vërtetë nuk ndërtohet vetëm përmes armëve, por mbi vlera të qëndrueshme si solidariteti, dinjiteti, qëndresa morale dhe partneritetet ndërkombëtare.

Ministrja theksoi gjithashtu se Shqipëria mbetet një nga mbështetëset e vendosura të Ukrainës dhe shprehu krenarinë që vendi ynë qëndron krah popullit ukrainas përballë asaj që ajo e cilësoi si një stuhi të pamerituar.