2 Prill 2026 17:35

Nis një epokë e re energjetike: MEPSO vendos në terren projektin strategjik Manastir–Elbasan

Pas një periudhe të gjatë ngecjeje, sot u shënua një moment historik për sektorin energjetik në vend. Me vendosjen e gurthemelit, MEPSO zyrtarisht nisi punimet për ndërtimin e linjës interkonektive 400 kV ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë një nga projektet më të mëdha të dekadës së fundit.

Ky projekt strategjik, pjesë e Korridori 8, do të mundësojë lidhjen direkte të sistemeve elektroenergjetike të dy vendeve, duke rritur sigurinë e furnizimit dhe duke avancuar shkëmbimin ndërkufitar të energjisë.

Drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Burim Latifi, theksoi rëndësinë e këtij momenti duke e cilësuar projektin si shumë më tepër se një investim teknik:
“Ky interkoneksion është një urë besimi dhe bashkëpunimi rajonal. Sistemet tona plotësojnë njëra-tjetrën dhe krijojnë sinergji që i shërbejnë të ardhmes energjetike.”

Ai rikujtoi se projekti ishte gjetur pothuajse i bllokuar, me progres minimal, por falë angazhimit institucional, u tejkaluan pengesat dhe sot ai është shndërruar në një realitet konkret në terren.

Mbështetja ndërkombëtare ka qenë vendimtare. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka siguruar financim prej 37 milionë eurosh për këtë projekt, si dhe një grant shtesë prej 12 milionë eurosh përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor, duke e kthyer këtë ndërhyrje në një shembull të suksesshëm të partneritetit ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Bashkimit Evropian theksuan se projekte të tilla janë thelbësore për ndërtimin e një rrjeti energjetik të qëndrueshëm dhe të integruar evropian, sidomos në kohë sfidash gjeopolitike.

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se kjo linjë 400 kV, me gjatësi rreth 100 kilometra, mbyll një boshllëk të kahershëm në rrjetin energjetik rajonal dhe për herë të parë e lidh plotësisht vendin me të gjithë fqinjët.

“Ky nuk është vetëm një projekt infrastrukturor, por një investim në stabilitetin ekonomik, sigurinë energjetike dhe të ardhmen evropiane të rajonit,” theksoi ai.

Ndërtimi i linjës nga Manastiri, përmes Ohrit deri në kufirin me Shqipërinë, përbën një bazë të re për zhvillimin e kapaciteteve të ardhshme prodhuese, integrimin e burimeve të rinovueshme dhe rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike.

Me këtë hap të rëndësishëm, MEPSO konfirmon rolin e saj si shtyllë kyçe në transformimin energjetik të vendit dhe në ndërtimin e një rrjeti modern, të qëndrueshëm dhe të integruar në Evropë.