Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se në ditën e parë të vitit 2026 ka ndërruar jetë Nexhat Daci, ish-Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Kurti e ka cilësuar lajmin si pikëllues, duke theksuar se Nexhat Daci ishte kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës pas çlirimit të vitit 1999. Ai u zgjodh dy herë në këtë detyrë, gjatë mandateve 2000–2004 dhe 2004–2006, ndërsa për më shumë se një dekadë ishte një nga figurat më aktive të skenës politike në vend.
Si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Daci u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa nga viti 2007 ishte themelues dhe kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë. Në cilësinë e anëtarit të Kryesisë së Kuvendit, ai ishte edhe një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.
Nexhat Daci ka lindur më 26 korrik 1944 në fshatin Tërnoc të Bujanocit. Pas përfundimit të shkollës së mesme në Leskoc, ai studioi kimi në Universitetin e Beogradit, ku në vitin 1968 mbrojti magjistraturën. Në vitin 1973 doktoroi në Universitetin e Zagrebit, ndërsa një vit më pas kreu studime postdoktorale në Universitetin e Bradfordit në Mbretërinë e Bashkuar.
Karrierën akademike e ndërtoi në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëroi që nga viti 1966 dhe në vitin 1984 u zgjodh profesor ordinar. Nga viti 1994 ishte anëtar korrespondent, e nga viti 1996 anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, institucion që e drejtoi dy herë si kryetar, në periudhat 1999–2004 dhe 2018–2019. Ai ishte autor i shumë punimeve shkencore dhe veprave studimore në fushën e kimisë.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për familjen Daci, kolegët profesorë e akademikë dhe bashkëpunëtorët e tij, duke vlerësuar se Nexhat Daci do të mbetet një emër i rëndësishëm në historinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës.

