Viti i ri 2026 ka nisur me lajme gëzimi, pasi foshnjat e para të këtij viti kanë ardhur në jetë në disa institucione shëndetësore në vend.
Në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë (GAK) ka lindur foshnja e parë e vitit, një vajzë, ndërsa në ISHP Spitalin Special për Gjinekologji dhe Obstetrikë “Nënë Tereza” në Çair kanë lindur dy vajza binjake.

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka theksuar se lindjet e para të vitit simbolizojnë një fillim të ri, shpresë dhe të ardhme për shoqërinë. Ai u ka përcjellë urime familjeve të foshnjave, duke u dëshiruar shëndet, dashuri dhe lumturi, si dhe ka bërë të ditur se Ministria ka dhuruar monedha ari për foshnjat e para të porsalindura.

Ndërkohë, edhe kryetari komunës së Çairit Izet Mexhiti shkruan se në minutat e para të vitit 2026, në Çair erdhën në jetë dy vajza. Me këtë rast, nënës dhe foshnjave u janë dhuruar ar dhe lule, si simbol i fatit të mirë, vlerës dhe një jete të mbushur me dashuri dhe shpresë.
Zyrtarët kanë uruar familjet, duke theksuar se çdo lindje e re është një pasuri për shoqërinë dhe një motivim për të vazhduar krijimin e kushteve më të mira për fëmijët dhe familjet në vend.

