27 Mars 2026 19:29

Sistemi “Qyteti i Sigurt” pa gjuhën shqipe: Toshkovski konfirmon vazhdimin e procedurës aktuale

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka rikonfirmuar qëndrimin se njoftimet drejtuar qytetarëve për shkeljet në komunikacion përmes projektit “Qyteti i Sigurt” do të vazhdojnë të dërgohen ekskluzivisht në gjuhën maqedonase. Sipas ministrit, përfshirja e gjuhës shqipe apo gjuhëve të tjera si anglishtja do të kërkonte dërgimin e një numri të madh porosish të njëkohshme, çka do të vështirësonte procesin teknikisht. Ai sqaroi se njoftimet aktuale realizohen vetëm në gjuhën maqedonase, duke përdorur alfabetin latin.

Ky qëndrim i ministrit bie ndesh me premtimet e mëparshme të zëvendësministrit të Brendshëm, Astrit Iseni, i cili kishte deklaruar se këto njoftime do të ishin të disponueshme edhe në gjuhën shqipe. Situata ka riaktualizuar debatin mbi interpretimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ku vërehen qëndrime të ndryshme ndërmjet zyrtarëve maqedonas dhe atyre shqiptarë në kuadër të institucioneve shtetërore.

Trajtimi i ngjashëm i gjuhës shqipe është vërejtur edhe në Ministrinë e Drejtësisë, veçanërisht lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës nën drejtimin e ministrit Igor Filkov. Këto praktika institucionale janë mbështetur së fundmi edhe nga kryeministri Hristijan Mickoski, si dhe nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, sa i përket njoftimeve të projektit “Qyteti i Sigurt”. Pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme nga përfaqësuesit politikë shqiptarë, vendimet e institucioneve mbeten aktualisht të pandryshuara.