Ministri i Çështjeve Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka marrë pjesë sot në shënimin e Ditës Ndërkombëtare dhe muajit të ndërgjegjësimit për autizmin, aktivitet i organizuar në Shkollën Fillore “Sande Shterjoski” në Kërçovë.
Në fjalën e tij, Limani theksoi se autizmi nuk duhet parë si sëmundje, por si një spektër dhe mënyrë unike e perceptimit të botës. Ai bëri thirrje për rritjen e ndërgjegjësimit shoqëror dhe ndërtimin e një ambienti gjithëpërfshirës, ku çdo individ ndihet i pranuar dhe i vlerësuar.
“Përgjegjësia jonë e përbashkët është të ndërtojmë një shoqëri që kupton dhe mbështet. Pranimi fillon me mirëkuptimin dhe është koha të tejkalojmë paragjykimet,” u shpreh ministri.
Limani nënvizoi rëndësinë e krijimit të institucioneve dhe shkollave inkluzive në çdo komunitet, duke theksuar se diversiteti është vlerë që pasuron shoqërinë.
Ai shtoi se çdo fëmijë në spektrin e autizmit meriton dashuri, mbështetje dhe hapësirën e tij në shoqëri, duke apeluar për më shumë angazhim institucional dhe qytetar në këtë drejtim.

