Kur flasim për zgjedhjet lokale, parimi është aq i thjeshtë sa është edhe jetik për për fatin e komunës duhet ta vendosin ata që e jetojnë atë çdo ditë, e jo ata që e vizitojnë vetëm për pushime.
Nga Astrit Gashi
Ky është një rregull i artë i demokracisë që Evropa e ka zgjidhur me kohë përmes asaj që quhet “parimi i rezidencës”.
Por, pikërisht këtë parim, disa qarqe politike dhe pseudo-patriotë në Maqedoninë e Veriut po përpiqen ta keqpërdorin për qëllime thjesht elektorale. Për fat të keq, ata shpërfaqin një mungesë elementare të njohjes së ligjit. Kodi Zgjedhor në shumicën e shtetve europiane e thotë qartë për të votuar në një komunë, secili qytetar duhet të ketë vendbanim të regjistruar aty të paktën gjashtë muaj përpara ditës së zgjedhjeve. Pra, thelbi i ligjit mbron territorin dhe komunitetin nga manipulimet artificiale të votës. Por kjo nuk do të thothë së nuk duhen reforma ne kodin zgjedhor. Ketë të drejte duhet të gezojë secili qytetar pavarsisht etnisë apo shtetsise së tij që deshmon së gjashtë muajë para zgjedhjeve ka jetuar ne komunën perkatese.
Në pjesën dërrmuese të shteteve evropiane nga Gjermania e Franca e deri te vendet skandinave e drejta e votës për kryetar komune apo këshilltarë nuk lidhet verbërisht me pasaportën, por me adresën e shtëpisë. Nëse jeton në Berlin, voton për Berlinin (në shumë raste madje edhe pa qenë shtetas gjerman, mjafton të jesh rezident). Por, nëse je shtetas gjerman që jeton në Nju Jork, ti nuk mund të votosh për komunën tënde të lindjes në Gjermani. Logjika është e thjeshtë së voton aty ku jeton dhe ku prekesh nga qeverisja!
Kryetarët e komunave dhe këshillat lokalë nuk bëjnë politikë të madhe të jashtme ata vendosin për gjëra praktike. Ata menaxhojnë rrugët, trotuaret, çerdhet e fëmijëve, mbeturinat, urbanizmin dhe taksat mbi pronën. Këto janë vendime që prekin drejtpërdrejt xhepin dhe jetën e përditshme të banorëve që zgjohen çdo mëngjes në atë territor.
Nga pikëpamja analitike, lejimi i votës së diasporës në zgjedhjet lokale krijon një paradoks të rrezikshëm. Dikush që jeton me mijëra kilometra larg, që nuk i paguan taksat në atë komunë dhe që nuk përballet me problemet e saj të përditshme, do të vendoste se kush do ta menaxhojë buxhetin lokal.
Kjo do të thyente parimin bazë të llogaridhënies demokratike. Pse duhet që një banor i Cyrihut të vendosë nëse do të asfaltohet një rrugë në Çair apo në Tetovë, ndërkohë që pasojat e asaj vote i vuajnë vetëm ata që qëndrojnë këtu?
Ky debat nuk ka të bëjë fare me respektin ndaj diasporës. Mërgata jonë është një vlerë e jashtëzakonshme kombëtare, një motor i fuqishëm ekonomik dhe një urë lidhëse me botën. Ajo e ka dhe duhet ta ketë të drejtën e votës për zgjedhjet parlamentare, ku vendoset për fatet strategjike të shtetit. Mirëpo, zgjedhjet lokale janë një histori tjetër. Ato janë zgjedhje të lagjes, të qytetit dhe të fshatit.
Prandaj, vendimi për komunën duhet t’u mbetet atyre që e ndërtojnë jetën aty sepse në fund të ditës, janë ata që do të jetojnë me pasojat e asaj vote. Ndërsa zhurmuesve të rremë patriotikë, që e dinë shumë mirë ligjin por zgjedhin ta manipulojnë atë për një grusht votash, duhet t’u tregohet vendi përmes të vërtetës dhe fakteve ligjore.

