SHKUP — Këshilli Programor i Radiotelevizionit të Maqedonisë (RTVM) ka përzgjedhur sot Xhulian Shabanin për pozitën e zëvendësdrejtorit të Servisit Publik. Shabani, një emër i njohur në fushën e medias, marketingut dhe industrisë filmike në rajon, vjen në këtë detyrë pas procedurës së zhvilluar nga Këshilli Programor, i cili muaj më parë emëroi Zoran Ristovskin në krye të këtij institucioni.
Megjithatë, ashtu siç është shndërruar tashmë në një dukuri të zakonshme në skenën politike vendase, ku pas çdo emërimi apo përzgjedhjeje të kuadrave shqiptarë në pozita shtetërore, partia opozitare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nxiton të reagojë e para, edhe ky vendim ka hasur në kundërshtimin e ashpër të tyre.
BDI e ka cilësuar emërimin e Shabanit si të “paligjshëm” dhe si një rast të pastër të “kapjes politike” të mediumit publik nga ana e koalicionit qeverisës (VMRO-DPMNE dhe VLEN).
Në reagimin e saj të menjëhershëm, opozita pretendon se kandidati i përzgjedhur nuk plotëson kriteret elementare të parapara me Ligjin për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele si dhe Ligjin për Nëpunës Administrativ.
Sipas BDI-së, ligji kërkon minimum tetë vite përvojë profesionale dhe katër vite në pozita udhëheqëse, të cilat duhet të llogariten vetëm pas përfundimit të arsimit përkatës.
“Zëvendësdrejtori i emëruar provimin e parë në arsimin e lartë e ka dhënë në vitin 2020, ndërsa ka diplomuar katër vite më pas, në 2024. Përvojë pune me më shumë vite ai ka në tregti me tekstil, ndërkohë që as edhe një ditë punë në gazetari”, thuhet në deklaratën e BDI-së, ku ngrihet edhe pyetja se si i njëjti kandidat para një muaji u skualifikua, ndërsa sot rezulton i suksesshëm.

