4 Shkurt 2026 16:44

Haga përgatitet për deklaratat përmbyllëse, në fokus besueshmëria e provave dhe dëshmitarëve

Gjykata Speciale ka shpërndarë së fundmi një material video përmbledhës, duke ofruar një pasqyrë të detajuar të zhvillimeve në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ky dokumentar i shkurtër vizual mbulon periudhën kyçe që nga momenti i konfirmimit të aktakuzës e deri te paraqitja e dëshmitarëve në Hagë.

Kjo video-përmbledhje synon të informojë publikun mbi ecurinë e çështjes, duke përfshirë seancat e para, deklaratat fillestare, si dhe dëshmitë e paraqitura nga prokuroria dhe mbrojtja. Ajo ofron një pamje të kompozuar të dëshmive të shumta dhe provave materiale të shqyrtuara gjatë këtyre viteve, duke nxjerrë në pah kompleksitetin e procesit gjyqësor.

Ndërkohë, Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se argumentet përfundimtare nga ekipi mbrojtës pritet të nisin më 9 shkurt. Kjo fazë shënon një moment thelbësor në gjykim, pasi palët do të paraqesin sintezën e pozicioneve dhe provave të tyre përpara trupit gjykues, duke përmbyllur paraqitjen e tyre në këtë çështje.

Pas përfundimit të kësaj faze, gjyqtarët do të tërhiqen për të nisur vlerësimet e tyre konfidenciale të dosjes. Në njoftimin zyrtar të Speciales theksohet rëndësia e vlerësimit të peshës dhe besueshmërisë së çdo dëshmitari dhe të çdo prove materiale që është ofruar gjatë gjithë procesit, duke garantuar një analizë të thelluar dhe të paanshme para dhënies së verdiktit.

Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të hyjë në fazën e paraqitjes së argumenteve përmbyllëse, duke filluar më 9 shkurt. Së pari, do të mbahet deklarata përmbyllëse e Prokurorisë, e cila do të vazhdojë edhe më 10 shkurt. Në të njëjtën ditë, më 10 shkurt, është parashikuar edhe paraqitja e argumenteve përmbyllëse nga Mbrojtja e Viktimave.Bashkë me këto, më 11 shkurt, do të fillojë deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Paraqitja e zotit Veseli do të shtrihet edhe në datën 12 shkurt.

Po ashtu, më 12 shkurt, do të nisë edhe deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Rexhep Selimit, e cila është caktuar të vazhdojë deri të premten, më 13 shkurt.Në ditën e premte, më 13 shkurt, do të nisë dhe do të vazhdojë deklarata përmbyllëse e Mbrojtjes së Jakup Krasniqit, e cila do të përfundojë më 16 shkurt. Gjatë kësaj periudhe të paraqitjes së argumenteve përfundimtare, Trupi Gjykues ka parashikuar të adresojë pyetje drejt palëve.Kjo fazë e rëndësishme e gjykimit vjen pas konfirmimit të aktakuzës fillestare kundër katër të akuzuarve, e cila u bë më 26 tetor 2020. Aktakuza ka pësuar disa ndryshime të mëvonshme, përkatësisht më 3 shtator 2021, më 29 prill 2022 dhe së fundi më 30 shtator 2022.