18 Janar 2026 01:06

Punonjës i FBI-së pretendon se u pushua nga puna për vendosjen e flamurit LGBTQ në zyrë

Një punonjës veteran i FBI-së ka ngritur padi kundër agjencisë, duke pretenduar se është shkarkuar nga detyra për shkak të vendosjes së një flamuri LGBTQ në vendin e punës.

Sipas CBS News, David Maltinsky, i cili kishte shërbyer për FBI-në për 16 vite dhe ishte në javët e fundit të trajnimit për t’u bërë agjent special në Akademinë e Quantico-s, u thirr muajin e kaluar në një takim me zyrtarë të agjencisë. Aty, sipas padisë, atij iu komunikua me një letër se marrëdhënia e punës me FBI-në ndërpritej menjëherë, për shkak të “shfaqjes së paautorizuar të një simboli” brenda ambienteve të zyrës.

Letra e firmosur nga drejtori i FBI-së, Kash Patel, sipas dokumenteve gjyqësore, e akuzon Maltinsky-n për “gjykim të dobët” në ekspozimin e flamurit LGBTQ. Flamuri, sipas padisë, ishte vendosur fillimisht në zyrën e FBI-së në Los Angeles në vitin 2021, me dijeninë dhe miratimin e eprorëve të atëhershëm.

Maltinsky pretendon se pas ndryshimit të administratës amerikane është krijuar një atmosferë presioni ndaj disa punonjësve, duke përmendur madje ekzistencën e një “liste” të personave të konsideruar të padëshirueshëm. Ai shprehet se kishte frikë se do të përfshihej në këtë listë, ndërsa padi synon të argumentojë se shkarkimi i tij përbën shkelje të të drejtave kushtetuese të shprehjes dhe përdorimit të simbolikës.

Padia është dorëzuar në Gjykatën Federale në Uashington dhe ka si të paditur drejtues të FBI-së, Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi dhe Departamentin e Drejtësisë. Sipas dokumenteve të depozituara në gjykatë, Maltinsky kishte përfunduar 16 nga 19 javët e trajnimit për t’u bërë agjent special kur u largua nga programi.

Në të njëjtën kohë, Justice Connection raporton se që prej muajit janar mbi 5,000 punonjës të Departamentit të Drejtësisë janë larguar ose janë pushuar nga puna, përfshirë edhe persona të angazhuar në hetimet e mëparshme ndaj presidentit Trump dhe çështje të tjera të ndjeshme.