24 Tetor 2026 19:53

Intervista e Donald Trump për The New York Times e trazonë rendin botëror

Në një intervistë për The New York Times, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se nuk e sheh ligjin ndërkombëtar si kufizim real të pushtetit presidencial, duke theksuar se “kufiri i vetëm i pushtetit tim është moraliteti im personal”.

Sipas tij, autoriteti i presidentit amerikan buron drejtpërdrejt nga vullneti i popullit dhe duhet të ushtrohet pa pengesa që, siç thotë ai, shpesh vendosen nga institucionet dhe normat ndërkombëtare. Trump ka shprehur skepticizëm të thellë ndaj marrëveshjeve shumëpalëshe dhe aleancave tradicionale, duke argumentuar se ato janë të vlefshme vetëm për aq kohë sa i shërbejnë interesave të Shteteve të Bashkuara.

Donald Trump ka theksuar se çdo marrëveshje mund të rinegociohet ose të braktiset nëse nuk prodhon përfitime të drejtpërdrejta për SHBA-në, përfshirë edhe traktatet për armët bërthamore me Rusinë, të cilat, sipas tij, mund të zëvendësohen me marrëveshje të reja “më të mira” pas skadimit të tyre. Një pjesë e intervistës i është kushtuar Groenlandës, për të cilën Trump ka thënë se ka rëndësi strategjike dhe “psikologjike” për suksesin amerikan në skenën globale.

Donald Trump ka lënë të kuptohet se zgjerimi i ndikimit amerikan në këtë territor është pjesë e konkurrencës gjeopolitike dhe e sigurisë kombëtare, duke e relativizuar dimensionin e sovranitetit territorial. Duke folur për Venezuelën, Presidenti Trump ka riafirmuar qasjen e tij të bazuar në presion politik dhe ekonomik, duke theksuar se interesat amerikane dhe siguria energjetike janë prioritare edhe kur kjo sjell përplasje diplomatike.

Sipas tij, këto masa përbëjnë mjete legjitime të politikës së jashtme amerikane. Gjatë intervistës, Trump ka kritikuar elitat politike dhe mediat tradicionale, të cilat, sipas tij, nuk e kuptojnë realitetin e pushtetit dhe vendimmarrjes.

Ai ka theksuar se burokracia dhe institucionet shpesh e pengojnë veprimin e shpejtë dhe efektiv të presidentit. Deklaratat e Presidentit Trump në këtë intervistë kanë nxitur debat të gjerë në Shtetet e Bashkuara dhe në arenën ndërkombëtare, pasi vënë në pikëpyetje raportin mes pushtetit presidencial, ligjit ndërkombëtar dhe institucioneve demokratike. Qasja e tij personaliste ndaj pushtetit shihet nga mbështetësit si shprehje e vendosmërisë, ndërsa nga kritikët si rrezik për rendin demokratik dhe stabilitetin global.