14 Korrik 2026 13:41

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton shkarkimin e shtatë ministrave dhe dy zëvendësministrave

SHKUP – Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar shkarkimin e një pjese të anëtarëve të Qeverisë, në kuadër të riorganizimit të paralajmëruar të kabinetit qeveritar të propozuar nga kryeministri Hristijan Mickoski. Në seancën e 112-të të Kuvendit, votat e deputetëve zyrtarizuan shkarkimin e shtatë ministrave dhe dy zëvendësministrave.

Sipas njoftimeve zyrtare, nga detyra u shkarkuan:

  • Igor Fillkov – Ministër i Drejtësisë
  • Cvetan Tripunovski – Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave
  • Ivan Stoilkoviq – Ministër për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive
  • Azir Aliu – Ministër i Shëndetësisë
  • Fatmir Limani – Ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë
  • Zlatko Perinski – Ministër i Vetëqeverisjes Lokale
  • Shaban Saliu – Ministër pa resor

Po ashtu, nga postet e tyre u liruan edhe zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, si dhe zëvendësministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani.

Mickoski: Funksionet janë përgjegjësi, jo privilegj

Duke arsyetuar vendimin para deputetëve, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se ky rekonstruktim reflekton parimin e Qeverisë që funksionet publike të shihen si përgjegjësi dhe jo si privilegj.

“Nga dita e parë kur morëm përgjegjësinë, kam thënë se kjo nuk do të jetë një Qeveri komode, por një Qeveri e rezultateve. Funksionet nuk janë një e drejtë e fituar, por një obligim që duhet të arsyetohet çdo ditë”, tha Mickoski.

Ai theksoi se këto ndryshime nuk duhet të interpretohen si një mohim i punës së deritanishme të ministrave, por si fillimi i një faze të re që synon rritjen e efikasitetit dhe vazhdimin e zbatimit të programit qeveritar.

Opozita: Ndryshime me prapavijë politike

Nga ana tjetër, opozita ka drejtuar kritika të ashpra, duke vlerësuar se lëvizjet e fundit janë të motivuara politikisht dhe se ky rekonstruktim, përveç se një riorganizim kuadrosht, është edhe një përgatitje për zgjedhje të mundshme të parakohshme parlamentare.

Deputeti i partisë “E Majta” (Levica), Borislav Krmov, u ndal specifikisht te shkarkimi i ministrit të Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, duke kujtuar se deputetët e shumicës parlamentare deri para pak kohësh e kishin lavdëruar punën e tij.

“Nëse ka punuar mirë, pse po e zëvendësojmë tani?”, pyeti Krmov, duke kritikuar gjendjen e vështirë në sektorin e bujqësisë dhe vonesat e vazhdueshme në pagesën e subvencioneve për fermerët.

Sipas Krmov, Ministria e Bujqësisë prej vitesh po përdoret si monedhë shkëmbimi në marrëveshjet politike ndërmjet partnerëve të koalicionit, në vend që të trajtohet si një sektor strategjik për shtetin.

Në analizën e tij për ndarjen e re të resorëve, deputeti i opozitës vlerësoi se nga ky rekonstruktim humbësi më i madh është lëvizja ZNAM, ndërsa koalicioni VLEN fiton më shumë peshë dhe hapësirë politike përmes marrjes nën drejtim të Ministrisë së Drejtësisë.