Nga një kandidate konsensuale në kohë krize, te një model i lidershipit ndryshe: Ish-presidentja e Kosovës ka shpalosur prapaskenat e mandatit të saj pesëvjeçar dhe impaktin që la pas.
Prishtinë — Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u rikthye në qendër të vëmendjes gjatë një ligjërate në “Prishtina International Summer University”, duke rrëfyer përvojën e saj në krye të shtetit, rrethanat dramatike politike të zgjedhjes së saj dhe përgjegjësitë e rënda gjatë mandatit pesëvjeçar (2011–2016).
Në një reflektim mbi lidershipin, paqen dhe fuqizimin e grave, Jahjaga rikujtoi se rrugëtimi i saj drejt majës së shtetit nuk buronte nga ambiciet apo interesat personale, por nga një krizë e thellë politike që kërkonte stabilitet institucional.
Nga Uniforma në Presidencë: Formula Konsensuale e vitit 2011
Në kohën kur subjektet politike në Kosovë e kishin të pamundur të gjenin gjuhën e përbashkët dhe të siguronin votat për kandidatët e tyre partiakë, emri i Jahjagës doli si një zgjidhje shpëtimtare. Ajo tregoi se skena politike kishte nevojë për një figurë konsensuale, me integritet dhe përvojë të pastër në shërbimin publik.
Ishte pikërisht karriera e saj e gjatë dhe e suksesshme në Policinë e Kosovës që e bëri atë kandidaten ideale për të tejkaluar ngërçin. Gjatë gjithë këtij procesi, siç thotë edhe vetë Jahjaga, busulla e saj e vetme ishte interesi publik dhe shtetëror, mbi atë personal.
Ndryshimi Radikal: Kabineti me mbi 70% Gra
Përtej menaxhimit të krizave politike, trashëgimia më e fortë e Jahjagës mbetet thyerja e barrierave gjinore në institucionet më të larta të vendit. Ajo zbuloi se kishte vendosur që kabineti i saj presidencial të dominohej nga gratë dhe të rinjtë.
“Fillimisht synimi ishte që gjysma e kabinetit të përbëhej nga gra, por më vonë ky përfaqësim arriti në mbi 70 për qind,” u shpreh Jahjaga, duke theksuar se ky model ndikoi drejtpërdrejt në fuqizimin e rolit të gruas në jetën institucionale dhe politike në Kosovë.
Atifete Jahjaga shkroi historinë në vitin 2011 si gruaja e parë dhe personi më i ri në moshë që mori timonin e shtetit të Kosovës, duke shërbyer deri në vitin 2016. A duhet perseri të votohet për presidente?
Sot, kur Kosova përballet sërish me sfida të vazhdueshme të polarizimit politik dhe nevojës për përfaqësim dinjitoz ndërkombëtar, rikthimi i Jahjagës në diskursin publik ngre natyrshëm pyetjen: A ka nevojë Kosova për një profil të tillë lideri dhe a do të meritonte ajo një mandat të dytë në krye të shtetit? Përvoja e saj e dëshmuar si figurë unifikuese mbetet një model referimi për të ardhmen politike të vendit.

