10 Korrik 2026 09:50

Kurti fton liderët opozitarë në takime të ndara për formimin e institucioneve të reja

PRISHTINË — Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u ka dërguar sot ftesë zyrtare liderëve të partive opozitare për të diskutuar rreth konstituimit të institucioneve të reja, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Ftesat janë pranuar dhe konfirmuar nga partitë opozitare.

Sipas informacioneve që ka siguruar Identiteti, Kurti ka paraparë që takimet me Bedri Hamzën (PDK), Lumir Abdixhikun (LDK) dhe Ardian Gjinin (AAK) t’i zhvillojë ndaras dhe jo në një tryezë të përbashkët. Takimet janë planifikuar të mbahen nesër në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ku Kurti ka propozuar edhe oraret e mundshme për secilin lider.

Lajmin për dërgimin e ftesave e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.

“Po, sot në mëngjes kryeministri Kurti u ka dërguar letër për takim tre kryetarëve të PDK, LDK dhe AAK”, ka deklaruar Manxhuka për Kanal 10.

Burime të mirëinformuara bëjnë me dije se temë qendrore e këtyre diskutimeve do të jetë rrugëtimi drejt konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit.

Ky hap i Kurtit vjen pikërisht në ditën e nisjes së afatit ligjor prej 30 ditësh për fillimin dhe përmbylljen e seancës konstituive të Kuvendit, afat ky që përfundon më 7 gusht.

Ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) certifikoi rezultatet ditën e djeshme, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ende nuk ka caktuar një datë të saktë për thirrjen e kësaj seance. Përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, Haxhiu ka garantuar se gjithçka do të jetë brenda kornizave kushtetuese.

“Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve”, ka shkruar mes tjerash Haxhiu, duke vlerësuar procesin zgjedhor si një sukses demokratik për vendin

Rezultatet përfundimtare të certifikuara nga KQZ

Nga certifikimi i djeshëm i rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, renditja e forcave politike në vend është si vijon:

Partia PolitikePërqindja e votave
Lëvizja Vetëvendosje (LVV)47.13 %
Partia Demokratike e Kosovës (PDK)19.44 %
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)16.69 %
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)6.74 % (7 mandate)
Lista Serbe5.40 %