10 Korrik 2026 10:10

Kur vija e kuqe e moralit politik shkelet me grafitë banditeske

Nga Astrit Gashi

Në rrugëtimin e gjatë dhe shpesh të tensionuar të pluralizmit politik në Maqedoninë e Veriut, opinioni publik është dëshmitar i fushatave nga më të ndryshmet.

Kemi parë debate të ashpra, përplasje platformash, akuza për korrupsion dhe retorikë të nxehtë elektorale. Megjithatë, ajo që po shfaqet së fundmi në muret e vendbanimeve tona përmes grafitëve të orëve të vona të natës kalon çdo kufi të garës politike dhe prek drejtpërdrejt dinjitetin kombëtar e njerëzor.

Të etiketosh një kryetar komune dhe një deputet shqiptar, siç janë Bilall Kasami dhe Adnan Azizi, me emra të ngarkuar me trauma historike si Josip Broz Tito apo Aleksandar Rankoviq, nuk është më kritikë politike.

Ky është një akt i rëndë i degradimit moral dhe profesional. Kushdo që ka marrë guximin të përdorë këto figura famëkeqe, të cilat në kujtesën kolektive të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë simbolizojnë shtypjen, dëbimin dhe terrorin shtetëror, ka dëshmuar një mjerim të thellë intelektual dhe politik.

Ata që fshihen pas këtyre shablloneve të zeza, vetëm shqiptarë nuk mund të quhen në kuptimin e vlerave dhe respektit ndaj historisë së vet.

Nëse ky akt i ulët është orkestruar nga radhët e partisë që sot e gjen veten në opozitë, mesazhi që ata dërgojnë te qytetari është i qartë: mungesë totale e alternativës, dëshpërim dhe paaftësi për t’u përballur në fushën e argumenteve.

Një strategji e tillë linçuese, që bazohet në “fushata të zeza” dhe vandalizëm, nuk korr sukses; ajo prodhon vetëm efekt bumerang. Me veprime të tilla banditeske, autorët e tyre praktikisht po garantojnë mbetjen e tyre të përhershme në opozitë, pasi asnjë qytetar me dinjitet nuk mund të rreshtohet pas një mentaliteti që ushqen urrejtjen dhe përdhosjen e figurave publike.

Çdo kalimtar që i sheh këto grafitë ndjen vetëm turp për nivelin ku ka rënë diskursi i disave. Ironia bëhet edhe më e madhe kur kujtojmë se njerëzit e shënjestruar në këto sulme dikur ishin bashkëpunëtorë dhe bashkudhëtarë të Ali Ahmetit.

Pikërisht për këtë arsye, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, e ka për detyrë morale dhe politike që të distancohet urgjentisht dhe publikisht nga këto veprime. Heshtja përballë këtyre akteve rrezikon të interpretohet si miratim i heshtur, gjë që nuk i bën nder asnjë lideri që pretendon të përfaqësojë vlera kombëtare e demokratike.

Kjo fushatë e ndytë, e projektuar për të dëmtuar dhe njollosur Bilall Kasamin dhe Adnan Azizin, në fakt po arrin të kundërtën: po zbulon fytyrën e vërtetë të atyre që nuk zgjedhin mjete për të rikuperuar humbjet e tyre politike.

Krahasimi i politikanëve shqiptarë me xhelatët e kombit të tyre është një vijë e kuqe e pafalshme.

Është koha që jo vetëm faktori politik të distancohet e t’i dënojë këto metoda, por edhe organet e rendit të zbardhin urgjentisht autorët e këtyre provokimeve që tentojnë të ulin standardin e jetës sonë publike në nivelin e rrugicave të errëta.

Ky nuk është ragimi im i parë kam reaguar ashpëer dhe kur lideri i opozitës është shfaqë me pasaportë serbe me emrin Aleksander Antiç