23 Tetor 2026 19:42

Pas deklaratave të Trumpit, Grenlanda mbyll derën ndaj kontrollit amerikan

Qeveria e Grenlandës ka deklaruar se nuk do të pranojë në asnjë rrethanë që territori të vihet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se ishulli është pjesë përbërëse e Mbretërisë së Danimarkës dhe, si i tillë, edhe pjesë e aleancës së NATO-s.

Në një deklaratë zyrtare, autoritetet grenlandeze nënvizuan se mbrojtja dhe siguria e territorit duhet të zhvillohen brenda kornizës së NATO-s dhe përmes strukturave ekzistuese ndërkombëtare. Qeveria theksoi se Grenlanda nuk është për shitje dhe se çdo çështje që lidhet me sigurinë duhet të trajtohet përmes bashkëpunimit mes aleatëve perëndimorë, raporton “The Guardian”.

Sipas qeverisë, Grenlanda do të mbetet pjesë e aleancës perëndimore të mbrojtjes dhe të gjitha shtetet anëtare të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë interes të përbashkët për mbrojtjen e ishullit strategjik në Arktik.

Në këtë kontekst, ministrja e Jashtme e Grenlandës, Vivian Motzfeldt, së bashku me homologun e saj danez, Lars Løkke Rasmussen, pritet të zhvillojnë një takim me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në Uashington. Takimi vjen në një periudhë të ndjeshme për Grenlandën, e cila është kryesisht vetëqeverisëse, por mbetet pjesë e Danimarkës.

Tensionet u rritën pasi presidenti amerikan përsëriti interesin e tij për territorin e pasur me minerale, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara do ta merrnin Grenlandën “në një mënyrë apo në një tjetër”. Këto deklarata kanë tronditur Bashkimin Evropian dhe NATO-n, veçanërisht pasi Danimarka është anëtare e të dyja organizatave dhe ishulli mbulohet nga garancitë e tyre të sigurisë.

Presidenti amerikan ka argumentuar se kontrolli mbi Grenlandën është i nevojshëm për të forcuar sigurinë në Arktik përballë kërcënimeve të supozuara nga Rusia dhe Kina. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca po punon për hapat e ardhshëm për të garantuar mbrojtjen kolektive të zonës arktike, duke theksuar rëndësinë strategjike të rajonit me hapjen e rrugëve të reja detare.

Ndërkohë, komisioneri i BE-së për mbrojtjen, Andrius Kubilius, ka paralajmëruar se përdorimi i forcës ushtarake nga SHBA për të marrë Grenlandën do të nënkuptonte fundin e NATO-s. Ai theksoi se shtetet anëtare të BE-së do të ishin të detyruara të ndihmonin Danimarkën në rast agresioni, duke iu referuar nenit 42.7 të Traktatit të BE-së për ndihmë të ndërsjellë.

Sipas Kubiliusit, reagimi do të varet nga qëndrimi i Danimarkës, por ekziston një detyrim i qartë për solidaritet mes vendeve anëtare në rast sulmi ushtarak. Megjithatë, ekspertët kanë vënë në dyshim nëse ky nen do të zbatohej drejtpërdrejt për Grenlandën, pasi territori ndodhet jashtë Bashkimit Evropian.

Në një zhvillim tjetër, ish-zëvendëskancelari gjerman Robert Habeck ka sugjeruar që Grenlandës t’i ofrohet anëtarësimi në Bashkimin Evropian për të frenuar interesin amerikan. Në një shkrim në “The Guardian”, ai propozoi një qasje pragmatike dhe të fazuar, duke përfshirë gjithashtu Ishujt Faroe, Islandën dhe Norvegjinë.

Grenlanda ishte tërhequr nga Komuniteti Evropian në vitin 1985, pas fitimit të vetëqeverisjes nga Danimarka në vitin 1979, por diskutimet e fundit kanë rikthyer debatin për pozicionimin e saj strategjik në rendin ndërkombëtar.