Komisionerja e lartë e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka hedhur poshtë kategorikisht propozimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për një integrim të pjesshëm të vendeve të tyre në zonën Schengen dhe në tregun e përbashkët të BE-së pa anëtarësim të plotë. Ajo theksoi se standardet e kërkuara për një hap të tillë janë po aq rigoroze sa ato për anëtarësimin e mirëfilltë në Union.
Propozimi i Vuçiqit dhe Ramës, i parashtruar në një artikull të përbashkët për gazetën gjermane ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’, pasqyronte pakënaqësinë e tyre për ritmin e ngadaltë të procesit të integrimit evropian. Ata kishin shprehur shqetësimet mbi sfidat e reformave të brendshme, tensionet gjeopolitike dhe kufizimet institucionale. Në këtë optikë, ata sugjeruan përfshirjen e vendeve të tyre në tregun e përbashkët dhe në zonën Schengen, por pa gëzuar të drejtat e plota politike apo të drejtën e vetos që u takon shteteve anëtare me status të plotë.Komisionerja Kos mbeti e prerë në qëndrimin e saj, duke nënvizuar se Bashkimi Evropian nuk do të bëjë kompromise përsa i përket reformave thelbësore, madje as në kuadër të modeleve të ndryshme të integrimit gradual.
Ajo ngriti pyetjen retorike nëse liderët në fjalë janë vërtet të vetëdijshëm për nivelin e lartë të arritjeve që kërkohen për t’u bërë pjesë e zonës Schengen ose e tregut të përbashkët. Kos theksoi se vendet aspirante nuk mund të përfitojnë nga këto privilegje pa përmbushur reformat e thella të nevojshme për anëtarësim të plotë në BE.Gjatë një samiti mbi konkurrueshmërinë evropiane, organizuar nga ‘Politico’, zonja Kos trajtoi edhe perspektiva të tjera të zgjerimit.
Ajo e cilësoi “të pamundur” synimin e Ukrainës për anëtarësim në BE deri në vitin 2027, ndërsa Islandën e vlerësoi si një “rast të veçantë” që mund të përparojë më shpejt nëse rifillon negociatat e anëtarësimit. Më tej, Komisionerja bëri thirrje që Bashkimi Evropian të rishikojë rregullat e procesit të zgjerimit, duke nxitur shtetet anëtare të paraqesin propozimet e tyre, pas refuzimit të disa nismave të mëparshme të Komisionit për reformimin e këtij procesi jetik.

