Këngëtarja e famshme e muzikës pop, Madonna, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për popullin iranian, mes protestave kundër Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Në një postim në Instagram të publikuar të premten, artistja 67-vjeçare shkroi se mendimet e saj janë me iranianët që, sipas saj, “po luftojnë një revolucion shumë të nevojshëm dhe janë të gatshëm të vdesin për atë në të cilën besojnë”.
Duke reflektuar mbi kohën e kaluar së fundmi në Marok gjatë festave, Madonna theksoi se shpesh njerëzit në Perëndim e marrin lirinë si të mirëqenë. Ajo renditi disa nga liritë personale që gëzon, përfshirë të drejtën për të udhëtuar lirshëm, për t’u veshur sipas dëshirës, për të folur pa frikë ndëshkimi dhe për të zgjedhur rrugën e saj shpirtërore.
“Gratë e Iranit nuk e kanë këtë liri. Unë qëndroj me to”, shkroi Madonna, duke shtuar se populli iranian “nuk e ka njohur lirinë për shekuj me radhë”. Ajo pranoi se nuk mund të pretendojë se i kupton plotësisht vuajtjet e përjetuara në Iran, por theksoi se mendimet dhe lutjet e saj janë me qytetarët iranianë.
Në përfundim të mesazhit, këngëtarja bëri thirrje për vazhdimin e rezistencës: “Koha është tani. Mbajeni fort! Unë mbështes Iranin. Le të dëgjohen zërat e tyre.”
Deklarata e Madonnës i shtohet reagimeve të figurave publike ndërkombëtare që kanë shprehur solidaritet me protestuesit iranianë dhe veçanërisht me gratë, të cilat janë në vijën e parë të kundërshtimit ndaj regjimit.

