28 Janar 2026 05:56

Diella, fytyra digjitale e reformës shqiptare në The New York Times

Gazeta prestigjioze amerikane The New York Times i ka kushtuar një artikull avatarit shqiptar të njohur si Diella, e promovuar si ministrja e parë qeveritare në botë e krijuar nga inteligjenca artificiale, me synimin për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

Sipas gazetës, Diella është shndërruar në një simbol të përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për rritjen e transparencës dhe modernizimin e administratës publike, në një periudhë kur Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Europian. E veshur me kostume tradicionale dhe e pranishme në konferenca ndërkombëtare, ajo ka tërhequr vëmendje të gjerë mediatike si shembull i përdorimit të inteligjencës artificiale në qeverisje.

Megjithatë, The New York Times vë në pah një paradoks të fortë që shoqëron këtë nismë: drejtuesit e agjencisë shtetërore që ka zhvilluar Diellën janë përfshirë në hetime për dyshime mbi manipulimin e tenderëve publikë. Muajin e kaluar, prokurorët e një njësie të posaçme hetimore vendosën në arrest shtëpiak drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Informacionit dhe zëvendësin e saj, të dyshuar për lidhje me një organizatë kriminale që dyshohet se ka ndikuar në proceset e prokurimit përmes intimidimit. Kjo agjenci administron edhe infrastrukturën digjitale shtetërore, përfshirë vetë Diellën.

Zyrtarët ende nuk janë akuzuar zyrtarisht, ndërsa kryeministri Rama ka deklaruar se do të përmbahet nga çdo gjykim paraprak, duke theksuar se “duhet të presim dhe të shohim”.

Në praktikë, Diella aktualisht ndihmon qytetarët të aplikojnë online për shërbime shtetërore, duke shmangur procedurat e gjata dhe kontaktet që shpesh shoqërohen me ryshfet. Në fazën e ardhshme, ajo pritet të përfshihet edhe në vlerësimin e aplikimeve për tenderë publikë, bazuar në të dhëna dhe algoritme, me mbikëqyrje nga auditorë njerëzorë.

Gazeta amerikane nënvizon se lufta kundër korrupsionit mbetet një kusht kyç për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Një raport i BE-së nga nëntori vlerëson disa përparime, por thekson se korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur, veçanërisht në sektorë të ndjeshëm si prokurimet publike.

Ndërsa disa ekspertë ndërkombëtarë vlerësojnë se Diella ka rritur efikasitetin dhe paanshmërinë në vendimmarrje, të tjerë mbeten skeptikë për ndikimin real të saj, sidomos në dritën e akuzave ndaj strukturave që e kanë zhvilluar sistemin.

“Ka skepticizëm, por fakti që hetimi nuk është fshehur tregon se problemi i korrupsionit po pranohet dhe po trajtohet”, është shprehur eksperti Andi Hoxhaj për The New York Times.

Nga ana e tij, kryeministri Rama ka theksuar se, pavarësisht mangësive dhe vështirësive, Shqipëria po përpiqet seriozisht të përballet me korrupsionin, duke e cilësuar këtë nismë si “një hap të mirë, edhe me të gjitha dobësitë e saj”.