Ministri i Politikës Sociale, Rinisë dhe Demografisë, Fatmir Limani, realizoi sot një takim të rëndësishëm me ushtruesin e detyrës zëvendësambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David Myers, ku në një frymë konstruktive dhe bashkëpunuese u diskutuan çështje me interes të përbashkët.
Në fokus të bisedimeve ishin aktivitetet aktuale dhe prioritetet strategjike të Ministrisë, me theks në reformat në fushën e mbrojtjes sociale, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët dhe avancimin e politikave gjithëpërfshirëse që synojnë rritjen e mirëqenies dhe barazisë sociale. U nënvizua rëndësia e harmonizimit të këtyre politikave me standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Gjatë takimit u diskutuan edhe zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, me theks në stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin rajonal. Të dyja palët vlerësuan rëndësinë e dialogut të hapur dhe partneriteteve strategjike në përballimin e sfidave të përbashkëta.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme amerikane në proceset reformuese, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit.
Po ashtu, u diskutua edhe rrugëtimi euro-atlantik i vendit, ku ministri Limani riafirmoi përkushtimin për përmbushjen e standardeve dhe kritereve të kërkuara, duke e cilësuar këtë proces si prioritet strategjik për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin afatgjatë.
Në përfundim, u theksua rëndësia e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve, si bazë për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe realizimin e objektivave të përbashkëta.

