Shkup – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit sot në Shkup nga udhëheqësit e koalicionit VLEN, me të cilët zhvilloi një drekë pune përpara manifestimit qendror të Ditës së Alfabetit në Manastir.
Takimi u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për diskutime të thelluara mbi zhvillimet politike në të dy vendet dhe mundësitë konkrete të zgjerimit të bashkëpunimit ndërshtetëror dhe ndërpartiak.
Gjatë takimit, palët shkëmbyen urime për rezultatet e fundit zgjedhore në komunat ku garuan forcat politike përkatëse, ndërsa drejtuesit e VLEN-it shprehën mbështetjen e tyre për suksesin e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të Kosovës të 28 dhjetorit.

Pas përfundimit të bisedimeve, përfaqësuesit e VLEN-it dhe kryeministri Kurti u nisën së bashku drejt Manastirit për të marrë pjesë në ceremoninë qendrore të shënimit të 117-vjetorit të Kongresit të Manastirit ngjarjes historike që unifikoi alfabetin shqip dhe hodhi themelet e një zhvillimi të përbashkët kulturor e kombëtar.
Udhëheqësit e VLEN-it theksuan se mbeten të përkushtuar ndaj ruajtjes dhe forcimit institucional të gjuhës shqipe, si dhe mbrojtjes e kultivimit të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Me rastin e kësaj dite simbolike i gjithë spektri politik shqiptar u bashkua në mesazhin e përbashkët së gjuha shqipe dhe alfabeti i saj vazhdojnë të jenë gurthemel i identitetit dhe unitetit.


