18 Janar 2026 00:29

Shporta minimale sindikale për nëntorin është 65.173 denarë

Kostoja e jetesës në Maqedoninë e Veriut vazhdon të rritet me një ritëm që po i vë qytetarët në provë të përditshme.

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) publikoi të dhënat më të fundit, sipas të cilave një familjeje mesatare i duhen mbi 80 mijë denarë në muaj vetëm për të mbuluar nevojat bazë. Qytetarët thonë se janë të lodhur nga çmimet që rriten më shpejt se rrogat dhe se çdo muaj po bëhet më e vështirë të përballohet realiteti ekonomik.

Më shumë para plot 23.534 denarë  i nevojiten një familjeje për ushqim dhe pije, duke e bërë këtë zërin më të rëndë të shpenzimeve. Më pas vijnë arsimi me 7.159 denarë dhe shpenzimet e përgjithshme të shtëpisë, si uji, energjia elektrike, ngrohja dhe qiraja, që arrijnë në 6.130 denarë. Veshjet dhe këpucët kushtojnë 5.731 denarë, higjiena 2.506 denarë, ndërsa kujdesi shëndetësor 1.185 denarë.

Për një apartament me qira prej 60 metrash katrorë, shporta minimale sindikale ngjitet në 80.548 denarë. Sipas LSM, ky nivel shpenzimesh e bën të qartë se një pjesë e madhe e familjeve nuk arrijnë t’i mbulojnë dot nevojat mujore.

Në shkurt të këtij viti, një familjeje me katër anëtarë i duheshin gjithashtu 3.417 denarë për komunikim, 5.592 denarë për rekreacion dhe kulturë, 4.131 denarë për restorante e hotele dhe 1.100 denarë për mallra e shërbime të tjera. Në total, një familje ka pasur nevojë për 65.173 denarë për të kaluar muajin.

Kjo do të thotë se një familje ku të dy prindërit marrin nga 30.000 denarë në muaj mbetet rreth 5.000 denarë nën minimumin e nevojshëm për një jetë minimale të dinjitetshme një realitet i hidhur që përditë po thellon presionin social dhe ekonomik mbi qytetarët.

.