21 Janar 2026 13:19

Hamza hap fushatën në Prizren me mesazhin nga Haga: “Kosova që funksionon fillon me bashkimin tonë”

PRIZREN – Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Kryeministër, Bedri Hamza, ka zgjedhur qytetin e Prizrenit për të hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Përpara mijëra simpatizantëve, Hamza ka shpalosur vizionin e tij për qeverisjen, duke e vendosur theksin te uniteti kombëtar dhe zhvillimi ekonomik.

Në një moment emocional të tubimit, Hamza bëri të ditur se vjen direkt nga një vizitë në Hagë, ku është takuar me ish-krerët e PDK-së dhe krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Ai u përcoll të pranishmëve një mesazh të drejtpërdrejtë që, sipas tij, vjen nga qendra e paraburgimit.

“Ata më kërkuan t’ju përcjell një mesazh të qartë: Na prisni të bashkuar. Do të shihemi së shpejti, në fitore dhe në liri,” deklaroi Hamza, duke kërkuar një duartrokitje masive për “luftëtarët e lirisë”. Ai shprehu bindjen se pas pak muajsh ata do t’i bashkohen popullit në shtetin që vetë e ndërtuan.

Gjatë fjalimit të tij, Hamza theksoi se Kosova aktualisht ka nevojë për një drejtim të ri që bazohet në bashkëpunim dhe jo në ndarje. Ai prezantoi platformën “Kosova që funksionon”, duke e lidhur zhvillimin e vendit me stabilitetin politik dhe drejtësinë.

“Pa bashkim nuk ka zhvillim. Pa plan nuk ka shpresë. Pa drejtësi nuk ka shtet,” u shpreh kandidati i PDK-së, duke shtuar se rrugëtimi i tij drejt zyrës së Kryeministrit do të jetë i fokusuar në zgjidhje konkrete për qytetarët.

Zgjedhja e Prizrenit për hapjen e fushatës u cilësua nga Hamza si simbolike, duke e quajtur “qytet të historisë dhe lidhjes”. Ai ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e ndryshimit, duke premtuar një qeverisje që rikthen fokusin te mirëqenia dhe forcimi i shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Me këtë tubim, PDK-ja ka sinjalizuar një mobilizim të plotë të strukturave të saj, duke tentuar të kanalizojë ndjenjat patriotike dhe nevojën për reforma ekonomike në një kauzë të vetme zgjedhore.