18 Janar 2026 00:16

Peci: Osmani firmosi shpërbërjen e Kuvendit

Kryetari i GUXO-s, Faton Peci, ka deklaruar se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, veproi me të drejtë kur kërkoi sërish mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit, para se të firmoste shpërbërjen e tij. Sipas Pecit, qëllimi i kësaj seance ishte adresimi i disa çështjeve urgjente që rrezikojnë t’i lënë pa paga kategori të caktuara punëtorësh, përfshirë të punësuarit në RTK.

“Presidentja bëri mirë që përsëri kërkoi dhe u lut që sot të kishim një seancë të radhës, në mënyrë që të adresonim disa prej problemeve që rrezikojnë kategori të caktuara të mbeten pa paga, sikur punëtorët e RTK-së, etj.”, tha Peci.

Ai shtoi se mungesa e dakordimit të shumicës së partive politike për trajtimin e këtyre çështjeve thelbësore ka çuar në vendimin e Presidentes për të shpërndarë Kuvendin, duke hapur rrugën për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Nuk kishte dakordim nga shumica e partive për t’i adresuar këto nevoja elementare dhe rrjedhimisht presidentja firmosi shpërbërjen e Kuvendit dhe shkojmë në zgjedhje”, theksoi ai.

Gjatë diskutimeve ndërmjet subjekteve politike, GUXO ka mbështetur idenë që zgjedhjet e reja të mbahen më 28 dhjetor. “Pat diskutime, dhe ne si GUXO kemi mbrojtur qëndrimin që të mbahen më 28 dhjetor”, u shpreh Peci.