15 Korrik 2026 23:49

Shaban Trstena me mesazh prekës: “Historia nuk shkruhet me rrena e fjalë të mëdha, por me vepra që i rezistojnë kohës”

SHKUP — Legjenda e gjallë e mundjes dhe sportit shqiptar, Shaban Trstena, ka ndarë me ndjekësit e tij një mesazh mjaft emocional, të shoqëruar me një fotografi historike që koha nuk arriti ta zbehte kurrë. Në 42-vjetorin e fitimit të medaljes së artë olimpike, kampioni i madh ka kujtuar rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm të ndërtuar mbi sakrificën dhe disiplinën e hekurt.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Trstena është shprehur se ajo fotografi nuk është thjesht një imazh i thjeshtë, por dëshmia më e pastër e një ëndrre të realizuar me punë të palodhur dhe përkushtim të pakufishëm.

“Para 42 vitesh u fitua medalja e artë olimpike — një moment historik që mbetet përgjithmonë i gdhendur në historinë e sportit olimpik. Ky triumf nuk i përket vetëm një sportisti; ai është krenari për mbarë sportin dhe frymëzim për çdo të ri që beson se me punë, vullnet të hekurt dhe besim në vetvete, edhe ëndrrat më të mëdha bëhen realitet,” shkruan Tërstena.

Më tej, kampioni olimpik ka përcjellë edhe një mesazh të fortë mbi mënyrën se si ndërtohet lavdia e vërtetë, duke vënë theksin tek trashëgimia që u lihet brezave të rinj.

“Koha kalon, fotografitë zbehen, por historia nuk shuhet kurrë. Medalja e artë olimpike mbetet simbol i përjetshëm i krenarisë, nderit, lavdisë dhe sakrificës sime. Historia nuk shkruhet me rrena e me fjalë të mëdha, por me vepra që i rezistojnë kohës. Kjo fotografi flet më shumë se një mijë fjalë,” përfundon mesazhin e tij kampioni Shaban Tërstena.

Kujtojmë që Shaban Tërstena mbetet një nga figurat më të shquara dhe më të dekoruara të sportit në mbarë hapësirën shqiptare e më gjerë, duke u shndërruar në një model frymëzimi për të gjithë sportistët e rinj që synojnë majat e botës.