Qytetarët e Kosovës kanë folur me votën e tyre, duke shprehur jo vetëm zgjedhjen, por edhe një reflektim të thellë mbi qeverisjen.
Ata refuzuan t’u linin më partive politike hapësirë për të luajtur me fatin e vendit, duke sinjalizuar qartë se durimit i ka ardhur fundi. Pas një periudhe dhjetëmujore të karakterizuar nga pasiguria dhe lojërat politike, populli i Kosovës mori frenat në dorë për të vendosur për të ardhmen e saj.
Koalicioni i udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje shënoi një fitore bindëse, duke siguruar mbi 50 përqind të votave direkte, që përkthehet në 56-58 deputetë. Ky rezultat e pozicionon atë afër shumicës parlamentare, me vetëm tre ose katër mandate larg sigurimit të saj.
Në këtë kontekst, është e vlefshme të theksohet një ndryshim i rëndësishëm në sistemet zgjedhore rajonale. Për shembull, ndërsa në Shqipëri, Edi Rama, me 46 përqind të votave të përgjithshme, siguron 83 deputetë, pra gati tre të pestat e numrit total, në Kosovë, Albin Kurti, me mbi 50 përqind të votave, nuk arrin të marrë as gjysmën e mandateve parlamentare. Ky kontrast ilustron qartë natyrën manipuluese dhe potencialisht të dëmshme për demokracinë zgjedhore që mund të ketë një sistem i tillë, siç duket ai në Shqipëri.
Në anën tjetër, vëmendje të veçantë tërhoqi rënia drastike e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila regjistroi një ulje prej tetë përqind në mbështetjen elektorale. Pyetja shtrohet: çfarë e shkaktoi këtë rënie spektakolare? Ndërsa disa mund të kërkojnë fajtorë të jashtëm, duke përfshirë edhe analistë, thelbi i problemit qëndron në vendimet e brendshme të partisë. LDK, tradicionalisht e njohur si një forcë e përkushtuar ndaj forcimit të institucioneve, me naivitet refuzoi mundësinë e dialogut për një koalicion të mundshëm me Albin Kurtin për krijimin e qeverisë. Kjo zgjedhje, një lloj vetëpenalizimi, solli bojkotimin e dialogut dhe mospranimin për të parashtruar alternativën e saj në një bashkëqeverisje me Vetëvendosjen dhe koalicionin e saj. Kërkesa e kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, për të marrë postin e kryeministrit, ndërkohë që partia e tij kishte siguruar vetëm 22 deputetë krahasuar me 47 të Vetëvendosjes, u interpretua si një shpërfillje e vullnetit të qytetarëve, duke çuar në ndëshkimin elektoral të 28 dhjetorit.
Përballë kësaj situate, LDK ka nevojë urgjente për reformë. Udhëheqja aktuale në bllok duhet të japë dorëheqjen, duke i hapur rrugën një brezi të ri politik. Ndonëse Lumir Abdixhiku i përket brezit të ri në moshë, ai ra viktimë e ndikimeve të ‘ujqërve’ të vjetër të LDK-së, prandaj duhet të paguajë koston politike. Ai duhet të rimarrë karrierën e tij politike nga e para, duke premtuar ndryshim thelbësor. Ndër figurat e reja, Faton Bislimi shfaqet si një prej më të spikaturve. Ndonëse nuk e njoh personalisht, kam ndjekur me vëmendje qëndrimet dhe deklaratat e tij, të cilat tregojnë një konsistencë të admirueshme, konsekuencë në mendime dhe një maturi të theksuar në përcaktimet e tij politike.
Megjithatë, janë anëtarët e Lidhjes Demokratike ata që e njohin më mirë Faton Bislimin dhe janë ata që duhet të marrin vendimet. Unë e shoh atë si një figurë me potencial të madh për të marrë drejtimin e LDK-së dhe për ta ringritur atë në lartësinë që i takon dhe e meriton. LDK nuk e meritonte këtë goditje elektorale kaq të rëndë, deri në poshtërim. Si histori e re e shtetit dhe e vendit, si emblemë e lirisë dhe demokracisë, Kosova edhe sot ruan standardet e lirisë, demokracisë, tolerancës dhe bashkëpunimit institucional e ndërpartiak, pjesërisht falë trashëgimisë së LDK-së së Ibrahim Rugovës, edhe në kohërat më të vështira. Devijimi i LDK-së nga kjo rrugë, i atribuar pretendimit të Lumir Abdixhikut se ‘Albini i kishte thënë një fjalë fyese’, përbën një paradoks të jashtëzakonshëm. LDK duhet të reagojë shpejt me një vendim për ndryshim. Ajo nuk ka luksin të mbetet pasive, duke dëgjuar diskutimet denigruese kundër saj. Sa më gjatë të rezistojnë individët që konsiderohen përgjegjës për dështimin, aq më shumë opinioni publik do të merret me Lidhjen Demokratike, fatkeqësisht, në kuptimin më negativ të fjalës.

