9 Korrik 2026 05:12

Granit Xhaka; “I thashë trajnerit: Gjuaj unë i pari!”

Granit Xhaka ka veshur mantelin e liderit të vërtetë në natën më magjike të futbollit helvetik. Pas kualifikimit dramatik dhe historik të Zvicrës në çerekfinalet e Kupës së Botës, kapiteni me origjinë shqiptare ka zbuluar prapaskenat e “ruletës ruse” (penalltive) kundër Kolumbisë, ku guximi i tij doli në dritë.

Kur tensioni kishte arritur kulmin dhe fati i ndeshjes do të vendosej nga pika e bardhë, Xhaka tregoi se hierarkia ndryshoi me kërkesën e tij të prerë.

“Në fakt, unë duhej të isha gjuajtësi i tretë i penalltive. Pastaj i thashë trajnerit se doja të isha i pari dhe të merrja përgjegjësi, siç i takon një kapiteni. Por po e lë mënjanë këtë për momentin,” deklaroi mesfushori, duke treguar se përpara presionit, zgjodhi të udhëhiqte me shembull.

Përtej sekreteve nga stoli, Xhaka u shfaq mjaft i emocionuar dhe krenar për karakterin e treguar nga skuadra, e cila nuk u dorëzua për asnjë çerek sekonde.

“Jam jashtëzakonisht krenar për ekipin. Ishte një shfaqje e jashtëzakonshme e forcës mendore – vullneti fitoi. Kemi bërë histori, është një ndjenjë e pabesueshme. Kemi pritur për një kohë të gjatë për të shkruar një histori si kjo,” shtoi ai, duke e cilësuar këtë arritje si kurorën e këtij brezi lojtarësh.

Sipas kapitenit, sekreti i këtij suksesi qëndron te gërshetimi perfekt mes brezave: “Ne lojtarët me përvojë po shtyhemi nga të rinjtë dhe duhet të jemi modele, duke transmetuar mentalitetin se edhe si një komb i vogël, shumë gjëra janë të mundura.”

Uria e Zvicrës nuk ndalet këtu. Çerekfinalja e madhe do t’i vërë ata përballë Argjentinës së mitikut Lionel Messi, një sfidë që për Xhakën është shpërblimi maksimal për gjithë sakrificën e bërë deri tani.

“Ky është një shpërblim i madh. Kur je në çerekfinale, uria është edhe më e madhe se më parë. Tani vjen sfida e madhe… Po e shijojmë lojën dhe do të jemi gati,” përfundoi luftëtari i mesfushës, duke i dërguar një mesazh të qartë kampionëve të Amerikës Latine: Zvicra nuk futet në fushë si viktimë!