17 Mars 2026 00:51

Ministri Fatmir Limani viziton Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë dhe falënderon për mikpritjen

Ministri i Çështjeve Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka zhvilluar një vizitë në Kryegjyshata Botërore Bektashiane në Tirana, ku u prit nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi.

Gjatë vizitës, ministri Limani pati mundësinë të vizitojë ambientet e teqesë, muzeun dhe faltoren, ndërsa u njoh nga afër me historikun dhe traditën e besimit bektashian, nga fillesat e tij deri në ditët e sotme. Ai u shoqërua gjatë vizitës nga Baba Mondi, i cili ofroi shpjegime të detajuara mbi rolin historik dhe shpirtëror të bektashizmit në kulturën dhe historinë shqiptare.

Me këtë rast, ministri Limani shprehu mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë dhe bujare në këtë institucion të rëndësishëm shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve.

Sipas tij, Kryegjyshata Botërore Bektashiane përfaqëson një nga shtyllat e rëndësishme të identitetit dhe ndërgjegjes kombëtare shqiptare, ndërsa teqetë bektashiane ndër shekuj kanë shërbyer jo vetëm si vende adhurimi, por edhe si qendra të mendimit të lirë, kulturës dhe mbrojtjes së çështjes kombëtare.

Gjatë vizitës u theksua gjithashtu roli historik që figura të rëndësishme të historisë shqiptare kanë pasur në kujtesën dhe traditën e kësaj vatër shpirtërore, duke përfshirë heroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, themeluesin e shtetit shqiptar Ismail Qemali, si dhe rilindësit Naim Frashëri, Sami Frashëri dhe Abdyl Frashëri.

Në përfundim të vizitës, ministri Limani falënderoi drejtuesit e Kryegjyshatës për mikpritjen dhe për mundësinë për të njohur nga afër këtë trashëgimi të rëndësishme shpirtërore, historike dhe kulturore të shqiptarëve.