18 Janar 2026 01:19

Bejta: 700 mijë euro të shpenzuara për një rrugë që nuk ekziston në realitet vetëm në letra

Kandidati i koalicionit VLEN për Komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta, ka hedhur akuza të forta dhe tronditëse ndaj udhëheqjes aktuale dhe asaj të mëparshme komunale, duke i cilësuar veprimet e tyre si abuzime të rënda me paranë publike.

Në një paraqitje publike me tone të ashpra, Bejta akuzoi kryetarin aktual Valbon Limani dhe ish-kryetarin Arben Taravari se kanë shpërdoruar detyrën zyrtare, duke shpenzuar rreth 700 mijë euro për një projekt rrugor që, sipas tij, nuk është realizuar kurrë në terren.

Bejta bëri publike edhe dokumente që, sipas tij, dëshmojnë keqpërdorimin dhe mbajnë nënshkrimin e Valbon Limanit, i cili në këto zgjedhje garon si kandidat i koalicionit AKI për Gostivarin.

“Tenderi është bërë 700 mijë euro dhe asnjëherë nuk është bërë as rekonstruksion e as rehabilitim i ndonjë rruge, as në qytet e as në fshat. Dokumentet janë të nënshkruara nga Valbon Limani. Në Evropë e Austri një kubik asfalt kushton 70 euro, ndërsa këtu kushton mijëra euro. Kjo është vjedhje dhe plaçkitje e paprecedentë”, deklaroi Bejta.

Ai solli si shembull tjetër edhe tenderin për mirëmbajtjen e rrugëve, mbushjen e gropave dhe riparimin e trotuareve, i cili sipas tij ka kushtuar 200 mijë euro, pa rezultate të dukshme në terren.

“Këto para janë para të qytetarëve të Gostivarit. Qyteti është i mbushur me gropa, trotuaret janë të dëmtuara, ndërsa milionat janë zhdukur. Kjo është arsyeja pse Gostivari ka ngecur”, theksoi Bejta.

Ai premtoi se, nëse fiton besimin e qytetarëve, do të ketë transparencë totale, auditim të çdo tenderi dhe përgjegjësi ligjore për, siç u shpreh, “çdo cent të vjedhur nga buxheti i komunës”.

“Gostivari nuk ka nevojë për rrugë në letra, por për rrugë reale. Nuk ka nevojë për tenderë fiktivë, por për punë të ndershme”, përfundoi Bejta.