Venko Filipçe, lideri i partisë opozitare Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), ka lëshuar një paralajmërim alarmant për të ardhmen e vendit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka dhene dy skenarë potencialisht shkatërrues: një krizë të thellë ekonomike dhe implementimin e një plani të diskutueshëm për “migrantë për para”. Këto vlerësime vijnë në një kohë të tensionuar politike dhe ekonomike për shtetin.
Filipçe ka artikuluar akuza të ashpra ndaj qeverisë aktuale, duke e fajësuar atë për izolimin e Maqedonisë së Veriut nga rruga evropiane dhe për lidhje të dyshimta me pushtetet në Serbi, Hungari dhe Rusi. Sipas tij, këto veprime po minojnë integrimin euroatlantik të vendit. Paralel me këtë kritikë ndaj politikave qeveritare, ai ka adresuar edhe dinamikat brenda partisë së tij, duke theksuar se nuk frikësohet nga ndonjë tentativë puçi, pasi në kongresin e fundit ka siguruar një mbështetje të konsiderueshme dhe ka marrë sugjerime konstruktive nga anëtarësia.
I pyetur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, Filipçe pohoi se nuk mund të japë një datë të saktë, por shprehu bindjen se ato janë të pashmangshme, duke qenë një përgjigje ndaj krizës së thellë që pret vendin. Ai argumentoi se “kjo qeveri kujdeset vetëm për interesat e veta, duke synuar realizimin e asaj që nuk e ka mohuar kurrë, ardhjen e migrantëve për para”. Për këtë arsye, sipas Filipçes, zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme. Ai shtoi se, pavarësisht nëse do të mbahen në fund të këtij viti apo vitin tjetër, “kjo gjendje nuk mund të vazhdojë deri në vitin 2028”.
Lidhur me thashethemet për iniciativa të brendshme partiake që synojnë zëvendësimin e tij, Filipçe i ka hedhur poshtë këto spekulime si të pavërteta. Ai theksoi se gëzon një mandat legjitim, të dhënë nga 20,000 anëtarë të partisë disa muaj më parë, për të udhëhequr LSDM-në në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. “Dyert janë të hapura për të gjithë,” deklaroi ai, duke kritikuar qasjen e disa shokëve partiakë për të shprehur vërejtjet në publik. Filipçe theksoi rëndësinë e diskutimeve brenda partisë, duke thënë: “Kush ka diçka për të thënë, le ta thotë. Unë jam i hapur t’i dëgjoj të gjitha ato sugjerime këtu, brenda partisë.”
Filipçe paralajmëroi se çdo fragmentarizim i LSDM-së do t’i shkonte vetëm në dobi partisë opozitare VMRO-DPMNE-së. Ai vuri në dukje se “ne jemi në dijeni për komunikimin dhe mbështetjen që ata (ish-anëtarët tanë që tani kanë formuar ZNAM-in) kishin gjatë themelimit të ZNAM-it, dhe tashmë janë formalisht në koalicion me VMRO-DPMNE-në.” Kjo, sipas tij, dëshmon se “çdo ndarje shtesë shkon vetëm në dobi të VMRO-DPMNE-së dhe, fatkeqësisht, nuk sjell asnjë përfitim për qytetarët apo për shtetin.” Këto zhvillime brenda partisë vijnë pas kongresit të LSDM-së të mbajtur më 24 janar, ku u miratua raporti për zgjedhjet lokale të vitit 2025 dhe u votua besimi për të gjitha organet drejtuese.

