21 Janar 2026 20:27

Mark Rutte: “Duhet ta mbrojmë Arktikun nga ndikimi rus dhe kinez”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se zgjidhja e vetme e krizës që lidhet me Grenlandën është “diplomacia e matur”, duke bërë të ditur se po angazhohet “në prapaskenë” për trajtimin e kësaj çështje.

Gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, kreu i aleancës perëndimore shmangu komentet mbi synimet e presidentit amerikan, Donald Trump, për të marrë nën kontroll ishullin, duke theksuar se diplomacia ka më shumë peshë sesa deklaratat publike.

“Ju siguroj se po punoj në prapaskenë për këtë çështje. E vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës është diplomacia e menduar mirë”, u shpreh Rutte gjatë një paneli në Davos.

Ai nënvizoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj NATO-s, por theksoi se Uashingtoni ka nevojë për “një Evropë të sigurt dhe një Arktik të sigurt”. Në këtë kontekst, Rutte tha se pajtohet me presidentin amerikan sa i përket rëndësisë strategjike të Arktikut.

“Duhet ta mbrojmë Arktikun nga ndikimi rus dhe kinez”, deklaroi ai.

Grenlanda, territor i Danimarkës me rreth 57 mijë banorë, nuk është anëtare e pavarur e NATO-s, por përfshihet në aleancë përmes anëtarësimit të Danimarkës. Çdo përpjekje për të marrë nën kontroll Grenlandën do të përbënte rastin e parë në historinë e NATO-s që një shtet aleat të cenojë territorin e një vendi tjetër anëtar.