9 Korrik 2026 05:12

Shqipëria do të mirëpresë Samitin e ardhshëm të NATO-s

ANKARA – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi këtë të mërkurë nga Turqia se samiti i radhës i Aleancës së Atlantikut të Veriut do të zhvillohet në Shqipëri.

Njoftimi u bë publik gjatë një konference për shtyp pas përmbylljes së punimeve të Samitit të NATO-s në Ankara, ku krerët e shteteve anëtare diskutuan mbi sigurinë euroatlantike, rritjen e buxheteve të mbrojtjes dhe sfidat gjeopolitike me të cilat përballet aleanca.

Ky vendim shënon një moment historik për Shqipërinë, e cila, që prej anëtarësimit të saj në vitin 2009, do të mikpresë për herë të parë një takim të këtij niveli të lartë diplomatik dhe ushtarak.

Gjatë fjalës së tij, Rutte vuri theksin te uniteti i plotë i vendeve anëtare dhe bëri të ditur një paketë masive investimesh prej 70 miliardë eurosh të dedikuara për sigurinë dhe mbrojtjen.

Deklarata e Mark Rutte: “27 miliardë euro nga ky fond do të alokohen specifikisht për infrastrukturën dhe kapacitetet e reja, integrimin e teknologjisë inovative në avantazhin tonë, si dhe për zhvillimin e një platforme të përbashkët të mbrojtjes për të gjithë aleatët. Ky samit dëshmoi se Aleanca është më e fortë se kurrë, plotësisht e bashkuar dhe e gatshme për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të saj. Ne rikonfirmojmë zotimin tonë për mbrojtjen kolektive: një sulm ndaj njërit prej nesh është sulm ndaj të gjithëve.”