21 Janar 2026 13:25

Zagrebi i përgjigjet Vuçiqit për akuzat e aleancës ushtarake Kroaci-Kosovë-Shqipëri

Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Davor Bozhinoviq, ka reaguar pas akuzave të rënda të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili një ditë më parë pretendoi se Kroacia po udhëheq një aleancë ushtarake me Kosovën dhe Shqipërinë, e cila sipas tij, është e drejtuar kundër Serbisë. Kjo deklaratë e Vuçiqit ka ndezur sërish tensione në marrëdhëniet delikate rajonale.

Mediat kroate rikujtojnë se presidenti serb, të hënën, akuzoi hapur Kroacinë se po bashkëpunon me Kosovën dhe Shqipërinë me qëllim “shkatërrimin e tij” dhe se ky bashkëpunim “përfaqëson një kërcënim ushtarak” për Serbinë. Vuçiq u shpreh se duhet të jetë e qartë për të gjithë se kjo “nuk është një aleancë kundër Austrisë”, duke theksuar se ai “ka detyrimin t’ua shpjegojë këtë serbëve”. Ai pretendoi se në Beograd e kuptojnë shumë mirë aleancën e re ushtarake të krijuar midis Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës, duke pohuar se ajo nuk u krijua kundër askujt tjetër, por kundër popullit serb, dhe paralajmëroi “forcimin e aftësive ushtarake të Serbisë”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me deklaratat e presidentit serb, zëvendëskryeministri kroat bëri thirrje për paqe dhe bashkëpunim në rajon. Bozhinoviq theksoi se Kroacia ndjek një rrugë të qartë, si anëtare e Bashkimit Evropian, dhe se gjithçka që bën në marrëdhëniet ndërkombëtare, e bën në mënyrë transparente. Ai i bëri këto komente pasi mori pjesë në pritjen tradicionale ceremoniale të organizuar nga Këshilli Kombëtar Serb (SNV) me rastin e festimit të Krishtlindjeve Ortodokse, duke shtuar se, megjithëse festohen Krishtlindjet sipas kalendarëve të ndryshëm, mesazhet e paqes dhe bashkëpunimit duhet të jenë një pikë e përbashkët për të gjithë.

Për të sqaruar kontekstin e kësaj situate, mediat kroate vënë në pah se ministrat e mbrojtjes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan një deklaratë mbi forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje në mars të vitit të kaluar. Kjo deklaratë, e cila është e hapur edhe për vende të tjera, thekson rëndësinë e përgjigjeve të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të rrezikojnë stabilitetin rajonal. Dokumenti promovon gjithashtu rritjen e aftësive mbrojtëse dhe bashkëpunimin midis industrive të mbrojtjes, duke forcuar ndërveprimin përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve, si dhe duke luftuar kërcënimet hibride dhe duke mbështetur plotësisht integrimin euroatlantik, siç u bë e ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Kroacisë në atë kohë.