Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar hapur se synon të garojë edhe për një mandat të dytë në krye të shtetit.
Ajo e bëri të ditur këtë gjatë një interviste, ku konfirmoi gatishmërinë për të vazhduar ushtrimin e funksionit më të lartë institucional në vend.
Pas përgëzimeve drejtuar qytetarëve për nivelin e lartë të demokracisë elektorale të treguar në zgjedhjet e fundit, Osmani tha se aktualisht po pret konstituimin e institucioneve të reja. Ajo njoftoi se do të nisë konsultime me të gjitha subjektet politike shqiptare për të siguruar mbështetjen e nevojshme për rizgjedhjen e saj.
Presidentja theksoi rëndësinë e reflektimit të vullnetit qytetar, duke iu referuar sondazheve sipas të cilave rreth 81 për qind e qytetarëve shprehen në favor të një mandati të dytë të saj. Ajo theksoi se mbetet për t’u parë nëse ky vullnet do të pasqyrohet edhe në votën e deputetëve në Kuvend.
Osmani bëri të ditur se, pavarësisht rezultatit të procesit të votimit në Kuvend, ajo do të mbetet aktive në jetën politike të vendit edhe nëse nuk sigurohet mbështetja e nevojshme për një mandat të dytë presidencial. Ajo paralajmëroi zhvillime pozitive në fillim të vitit të ardhshëm, duke theksuar se, së bashku me ekipin e saj, ka punuar intensivisht me disa shtete që kanë shprehur interes për thellimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Duke folur për sfidat diplomatike, Osmani sqaroi pretendimet e Serbisë për tërheqje të njohjeve të Kosovës nga mbi 20 shtete. Ajo theksoi se këto vende kishin njoftuar për ngrirje të procesit të njohjes deri në përfundimin e dialogut, përmes deklaratave apo letrave drejtuar institucioneve relevante. Presidentja bëri të ditur se ka arritur të rikonfirmojë njohjen nga pothuajse të gjitha këto shtete, përveç njërit, duke i cilësuar këto rikonfirmime si njohje të reja.
Ndërkohë, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili sipas rezultateve paraprake të KQZ-së ka siguruar shumicën e votave, ka njoftuar se një nga takimet e para pas marrjes së mandatit të tretë do të jetë me Presidenten Osmani. Më pas, ai planifikon takime edhe me partitë opozitare, me qëllim sigurimin e mbështetjes së nevojshme për mandatin e dytë të Presidentes.

