Studentët shqiptarë të Fakulteteve Juridike në Maqedoninë e Veriut kanë intensifikuar kërkesat e tyre për zhvillimin e provimit shtetëror të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe. Kjo nismë, e mbështetur nga një peticion i nënshkruar nga 385 studentë, synon adresimin e një çështjeje thelbësore që lidhet me barazinë dhe të drejtat gjuhësore në sistemin arsimor.

Në thelb të këtij peticioni qëndron kërkesa për sigurimin e të gjitha materialeve dhe zhvillimin e plotë të provimit shtetëror të Jurisprudencës në gjuhën shqipe. Studentët argumentojnë se ka mekanizma ligjorë dhe mundësi praktike për ta bërë këtë, duke siguruar që provimi të jetë i disponueshëm si në gjuhën maqedonase, ashtu edhe në gjuhën shqipe.
Kërkesa e tyre bazohet në faktin se gjuha aktuale e provimit nuk përkon me gjuhën e studimit për shumicën e studentëve shqiptarë të regjistruar në Fakultetet e Drejtësisë.Zëdhënës i kësaj kauze, Mevlan Ademi, ka theksuar në disa raste se pamundësia për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare përbën një pengesë serioze. Ai shpjegon se zbatimi i kësaj kërkese nuk kërkon burime të mëdha buxhetore, duke lënë të kuptohet se problemi kryesor qëndron te mungesa e vullnetit politik.
“Kjo nuk është diçka që kërkon buxhet shumë të madh, është diçka që bëhet, por mungon vullneti,” ka deklaruar Ademi, duke shtuar se deri tani nuk ka pasur asnjë lëvizje konkrete drejt zgjidhjes.Kjo çështje ka qenë në fokus edhe më parë, me Portalb.mk që ka raportuar rreth saj. Edhe pse nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që ndalon shprehimisht zhvillimin e provimit në gjuhën shqipe, mungesa e një baze ligjore eksplicite e bën atë të varur nga “vullneti” i zyrtarëve.
Për të siguruar të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në këtë provim, janë të domosdoshme ndryshime ligjore. Një tentativë e ish-ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, për të ndërmarrë hapa konkretë drejt këtij qëllimi nuk arriti të finalizohej brenda mandatit të tij, ndërsa qeveria aktuale nuk e ka përfshirë këtë çështje në planet e saj.

