21 Janar 2026 13:06

Limani: Dhuna ndaj grave dhe vajzave është problem serioz shoqëror, kërkon veprim të përbashkët

Shkup – Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka theksuar se dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por një problem serioz shoqëror që kërkon reagim të koordinuar institucional dhe shoqëror.

Në një postim publik, Limani njoftoi se sot ka marrë pjesë në eventin e OSBE-së me temë “Nga të dhënat drejt dialogut dhe veprimit”, ku janë prezantuar rezultatet e hulumtimeve mbi dhunën online dhe offline ndaj grave dhe vajzave të reja në jetën publike.

Sipas tij, gjetjet e prezantuara dërgojnë një mesazh të qartë se fyerjet, ngacmimet dhe kërcënimet nuk duhet të relativizohen, pasi ato përbëjnë forma të dhunës me pasoja të rënda për viktimat.

Limani theksoi se Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve mbetet e përkushtuar fuqishëm në luftën sistematike dhe të koordinuar kundër dhunës, duke bërë të ditur se është duke u punuar në hartimin e Strategjisë së re për Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.

“Qëllimi ynë është i qartë – asnjë grua të mos mbetet vetëm”, ka deklaruar ministri, duke shtuar se çdo grua meriton siguri, dinjitet dhe drejtësi.

Ai ka apeluar për solidaritet shoqëror, duke theksuar se ekzistojnë mekanizma mbështetës për një jetë pa dhunë.