Vetëm disa orë pasi rezultatet e zgjedhjeve në Hungari treguan se lideri i opozitës, Peter Magyar, kishte shënuar fitore të thellë, duke i dhënë fund sundimit të Viktor Orbanit dhe partisë së tij të djathtë, Fidesz, njeriu që pritet të bëhet kryeministër i ardhshëm i Hungarisë, tha se “nuk ka kohë për të humbur” për formimin e Qeverie së re.
Për Brukselin, këto fjalë nuk mund të kishin ardhur më shpejt.
Pas 16 vjetësh të Qeverisë së Orbanit, e cila përplasej me BE-në për çështje të ndryshme – nga lufta në Ukrainë deri te sanksionet ndaj Rusisë – Brukseli tani shpreson që Budapesti të jetë më bashkëpunues.
“Vendi ynë nuk ka kohë për të humbur. Hungaria është në telashe në çdo aspekt. Ajo është plaçkitur, grabitur, tradhtuar, është futur në borxhe dhe është shkatërruar”, tha Magyar në një konferencë për media më 13 prill, një ditë pasi partia e tij e qendrës së djathtë, Tisza, fitoi shumicën prej dy të tretash në Parlamentin me 199 vende.
Ai shtoi se Hungaria – ku është arratisur edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, i akuzuar për korrupsion – nuk do të strehojë kriminelë të kërkuar ndërkombëtarisht.
Me ligj, presidenti i Hungarisë duhet ta mbledhë Parlamentin e ri brenda 30 ditëve nga zgjedhjet. Më pas, deputetët zgjedhin kryeministrin e ri, i cili propozon kabinetin qeveritar.
Shumë shpresojnë se pengesat që kishte vendosur Orban, do të hiqen, megjithëse ekziston edhe shqetësimi se Magyar – i cili dikur ishte një besnik i afërt i kryeministrit të mposhtur, ndërsa më vonë u nda prej tij, për shkak të çështjeve të korrupsionit – mund të mos bashkëpunojë gjithmonë në mënyrë të lehtë.
Çështja kryesore me të cilën Magyar pritet të merret në Bruksel, nuk është politika e jashtme, por zhbllokimi i rreth 18 miliardë eurove fonde të BE-së, të ngrira në vitet e fundit, për shkak të “hapave prapa” në demokraci gjatë qeverisjes së Orbanit.
Rindërtimi i sistemit gjyqësor hungarez pritet të jetë një nga prioritetet kryesore, dhe Magyar synon të ndjekë shembullin e Polonisë.
Në përpjekje për të zhbllokuar fondet e BE-së pas rikthimit në pushtet në fund të vitit 2023, Qeveria e qendrës e Varshavës ka punuar për të përmbysur ndryshimet e diskutueshme në gjyqësor dhe administratë publike, të bëra nga paraardhësit populistë.
Magyar ka sinjalizuar se do të distancohet nga marrëdhënia e ngushtë që Qeveria e Orbanit kishte me Moskën, por, deri tani, nuk ka qenë i butë as ndaj Kievit.
Gjatë fushatës zgjedhore, kur Orban dhe Zelensky – i cili e ka mirëpritur fitoren e Magyarit – u përplasën verbalisht, ai mbajti anën e bashkëkombësit të tij, duke deklaruar se “asnjë lider i huaj nuk mund të kërcënojë një hungarez”.
Një pjesë e madhe e popullsisë hungareze mbetet ende thellësisht skeptike ndaj Ukrainës – me sondazhe që tregojnë se shumica e të anketuarve janë kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE, si dhe kundër dërgimit të më shumë ndihmave financiare për këtë vend.
Magyar është i vetëdijshëm për këto qëndrime.
Në konferencën e tij të parë për shtyp pas zgjedhjeve, ai tha se është e qartë që Ukraina “është viktimë e kësaj lufte” dhe se do të takohet me Zelenskyn për të “krijuar raporte”.
Por, ai shtoi se Hungaria synon të krijojë “marrëdhënie aleatësh dhe, nëse është e mundur, miqësore me të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe përmes minoriteteve hungareze jashtë vendit”.
“Kjo vlen për Ukrainën, Serbinë dhe të gjitha vendet e tjera”, tha ai.
Po ashtu, do të jetë me interes të shihet se si Magyar do t’i trajtojë disa propozime ushtarake, që kanë mbetur të bllokuara në Bruksel, kryesisht për shkak të Fideszit, si: bllokimi prej gati tre vjetësh i 6.6 miliardë eurove ndihma ushtarake për Ukrainën, përmes Instrumentit Evropian të Paqes (EPF), mundësia e ndarjes së imazheve satelitore me Ukrainën nga Qendra Satelitore e BE-së (SatCen), si dhe ndryshimi i mandateve të dy misioneve të BE-së në Ukrainë, EUAM dhe EUMAM, për t’i përfshirë në garancitë e ardhshme të sigurisë për Kievin.
Pritejet janë që Magyar t’i lejojë Ukrainës – edhe Moldavisë – të paktën të hapin negociatat për anëtarësim në BE këtë vit – diçka që Qeveria e Orbanit e ka bllokuar gjatë dy vjetëve të fundit.
Por, pritet gjithashtu që ai të përdorë termin “bazuar në merita” kur të flasë për zgjerimin e ardhshëm të BE-së – zhargon ky i Brukselit, i përdorur nga shumica e kryeqyteteve të BE-së, që do të thotë: “Do të hyni kur të vendosim ne, dhe ne nuk kemi vendosur ende”./rel

