21 Janar 2026 13:31

Tension mes protestuesve të “Trafikut Urban” dhe Policisë

Protestuesit e “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë u përballën sot me Policinë e Kosovës, duke këmbëngulur se asnjë nga autobusët e vendosur në rrugën “Agim Ramadani” nuk do të largohet deri në përfundimin e protestës.

Njëri nga protestuesit tha se institucionet janë njoftuar paraprakisht për bllokimin e rrugës dhe kërkoi nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, të ndërhyjë për të zgjidhur situatën.

“Autobusët nuk lëvizin pa u kry protesta. Nuk jemi këtu për drogë apo hajni, por për të protestuar. Ne e kemi paralajmëruar protestën që dje dhe nuk do të largohemi për dy-tre orë. Ministria e Financave duhet të reflektojë”, deklaroi protestuesi.

Punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë kanë ndërprerë qarkullimin në Prishtinë që nga e hëna, pasi nuk kanë marrë pagat e tyre. Ata protestuan fillimisht para Komunës së Prishtinës dhe më pas, së bashku me kryetarin Përparim Rama, u drejtuan drejt Qeverisë. Takimi me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, nuk solli një zgjidhje, duke shtyrë punëtorët të vazhdojnë me bllokimin e qarkullimit./EO