21 Janar 2026 13:17

Vuçiq përballet me kallëzim penal për rastin“Safari Snajperët e Sarajevës”

Avokati dhe aktivisti serb për të drejtat e njeriut, Cedomir Stojkoviq, ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë për Krimin e Organizuar në Beograd, duke kërkuar hetime për krime të mundshme kundër njerëzimit të lidhura me të ashtuquajturin “Safari Snajper i Sarajevës”.

Sipas pretendimeve që qarkullojnë prej vitesh, gjatë rrethimit të Sarajevës dyshohet se individë të huaj paguanin për të qëlluar me snajper ndaj civilëve.

Kallëzimi drejtohet ndaj një personi të paidentifikuar dhe ndaj presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Stojkoviq pretendon se Vuçiç ka qenë vullnetar në një formacion të armatosur të komanduar nga Slavko Aleksiç, nga territori i të cilit supozohet se janë kryer këto akte. Ai argumenton se një aktivitet i tillë nuk do të kishte qenë i mundur pa dijeninë e strukturave paraushtarake të asaj kohe.

Në postimet e tij në platformën X, Stojkoviq thotë se, edhe nëse Vuçiç nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejt, ai duhej të ishte në dijeni të zhvillimeve për shkak të rolit të tij në Partinë Radikale Serbe, të njohur për mobilizimin e vullnetarëve paraushtarakë dhe retorikën e ashpër etnike gjatë luftës në Bosnje. Ai përmend gjithashtu financimet e diskutueshme të periudhës dhe dënimin e Vojislav Šešelj nga Gjykata e Hagës, si elemente që, sipas tij, kërkojnë verifikim të mëtejshëm.

Stojkoviq ka kërkuar nga Prokuroria për Krime Lufte në Beograd që të nisë një hetim të plotë, duke bashkëpunuar me autoritetet në Milano, të cilat kanë hapur tashmë çështjen e tyre lidhur me këtë temë./Identiteti