Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka uruar shqiptarët në vend, rajon dhe diasporë me rastin e Ditës së Alfabetit dhe përvjetorit të Kongresit të Manastirit, transmeton Identiteti
Në një postim publik, Ahmeti theksoi se gjuha shqipe mbetet elementi themelor i identitetit kombëtar dhe njëkohësisht ura që bashkon shqiptarët kudo që jetojnë.
“Gjuha ruhet aty ku shkruhet,” u shpreh ai, duke nënvizuar se kujdesi institucional dhe ai shoqëror për gjuhën është “i një rëndësie të madhe”.
Ahmeti rikujtoi se ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës shqipe kërkon përpjekje të përbashkëta, duke përmendur investimet në çerdhe, shkolla, universitete, si dhe funksionimin e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e gjuhës. Ai përmendi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të ligjeve që garantojnë përdorimin e shqipes në institucionet shtetërore.
Ndër elementet kyçe, lideri i BDI-së veçoi Ligjin për festat, i cili e shpall 22 nëntorin festë shtetërore, si dhe Ligjin për Çmimet Vjetore që nderon figura të shquara shqiptare. Po ashtu, ai theksoi domosdoshmërinë e institucionalizimit të Muzeut të Kongresit të Manastirit.
Ahmeti kujtoi se Lidhja e Prizrenit (1878), Kongresi i Manastirit (1908) dhe Dita e Flamurit (1912) përbëjnë “tri shtyllat qendrore të kombit shqiptar”, të cilat duhet të mbrohen dhe të çohen përpara.
Në përmbyllje, ai uroi të gjithë shqiptarët për Ditën e Alfabetit, duke e quajtur gjuhën shqipe “gjuhën tonë të shenjtë”.

