Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka shënuar sot 26-vjetorin e themelimit, një përvjetor që u karakterizua me vlerësime të larta për progresin e arritur dhe transformimin e institucionit ndër vite.
Në një fjalë drejtuar të pranishmëve, drejtori i SHKK-së, Ismail Dibrani, theksoi se ky institucion është shndërruar nga një strukturë elementare në një sistem modern dhe tërësisht të harmonizuar me standardet më të avancuara ndërkombëtare.
Sipas tij, vetëm në tre vitet e fundit janë realizuar hapa të rëndësishëm në rritjen e sigurisë, profesionalizimit dhe efikasitetit të menaxhimit, duke përfshirë investime në teknologji dhe ngritje të vazhdueshme të kapaciteteve të stafit.
Një prej fokusëve kryesorë ka qenë rehabilitimi dhe riintegrimi i personave të privuar nga liria. Mbi 1,800 të burgosur janë përfshirë në programe rehabilituese e psiko-sociale, ndërsa për herë të parë është shënuar krijimi i listave të pritjes, që konsiderohet tregues i qartë i rritjes së besimit në këto programe.
Sukseset ndërkombëtare u theksuan gjithashtu nga drejtori Dibrani, duke përmendur Çmimin e Ekselencës nga Organizata Ndërkombëtare e Burgjeve dhe anëtarësimin e SHKK-së në EuroPris – një arritje që e pozicionon Kosovën ndër sistemet korrektuese më të avancuara në Evropë.
Ai shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Drejtësisë, EULEX-in, Ambasadën e SHBA-së, Këshillin e Evropës, OSBE-në, UNICEF-in, organizatat për të drejtat e njeriut dhe shumë partnerë të tjerë. Falënderim të veçantë u adresoi edhe stafit të SHKK-së dhe atij të Departamentit Shëndetësor të Burgjeve për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre. Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se në këto 26 vite Shërbimi Korrektues ka dëshmuar se drejtësia nuk kufizohet vetëm me dënim, por drejtësia është përgjegjësi, ndërtim dhe besim.
“Falë punës që zyrtarëve të këtij shërbimi të mbështetur në mekanizmat e drejtësisë sot kemi një sistem korrektues që fokusohet jo vetëm në ruajtjen e rendit por edhe në edukimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar”, ka thënë Osmani.

Ceremonia u mbyll me një thirrje për vazhdimin e reformave dhe forcimin e mëtejshëm të sistemit korrektues, me theks të veçantë në ruajtjen e dinjitetit njerëzor dhe ndërtimin e një vizioni të qëndrueshëm për të ardhmen.

