Shkupi, kryeqendra ku shqiptaria ka kërkuar për dekada zërin, identitetin dhe dinjitetin e vet kulturor, këtë 28 Nëntor do të marrë frymë ndryshe.
Komuna e Çairit sjell një mbrëmje që nuk është thjesht koncert, por një akt i pastër afirmimi kombëtar: Gala Koncerti i Ditës së Flamurit, me rikthimin e sopranos së jashtëzakonshme botërore Inva Mula.
E shpallur “Qytetare Nderi e Komunës së Çairit” në vitin 2012, Inva Mula mbetet një nga zërat më elitarë të skenës operistike ndërkombëtare. Rikthimi i saj në Shkup nuk është vetëm emocion artistik por është rikujtim rrënjësh, përkatësie dhe fuqie të artit shqiptar që i mbijeton kohës. Ajo është yll botëror, por mbi të gjitha simbol i krenarisë kulturore të shqiptarëve, një artiste që ka ngjitur emrin e kombit në skenat më të mëdha të planetit.
Së bashku me të, në skenë do të ngjiten sopranoja Dëshira Ahmeti Kërliu dhe tenori Ismet Veseli, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Teatrit të Operës dhe Baletit. Tre zëra, tre universa artistikë, një emocion i vetëm: nderimi i Ditës së Flamurit me art të pastër, të lartë dhe të paharrueshëm.
Mbrëmja e 28 Nëntorit, ora 20:00, në sallën e Operës dhe Baletit Nacional, pritet të shënojë një moment historik për kulturën shqiptare në Shkup.

Një kapitull i ri i kulturës sonë, i shkruar me zërin e Inva Mulës, që edhe një herë e ngre artin shqiptar në majat që e meritojmë.

