23 Janar 2026 00:35

Petra Drexler: Krahasimet e sistemit gjyqësor të Maqedonisë me të Gjermanisë janë të pasakta

Ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Petra Drexler, ka reaguar ndaj debatit të fundit rreth financimit të sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se krahasimet e bëra ditët e fundit me Gjermaninë janë të pasakta.

Në një intervistë për emisionin “360 Gradë”, Drexler tha se të dhënat e Komisionit Evropian tregojnë qartë se Gjermania investon shumë më tepër në drejtësi sesa Maqedonia e Veriut.

Sipas saj, analiza e përmendur nga qeveria, e cila përdor përqindjen e PBB-së si bazë krahasimi, jep një pamje të pjesshme të realitetit. “Nëse shihen shifrat për investimet për frymë në sistemin e drejtësisë, të mbledhura nga Komisioni Evropian përmes anketës së vitit 2022, rezulton se Gjermania investon pesë herë më shumë se Maqedonia e Veriut,” theksoi ambasadorja.

Drexler nënvizoi se sundimi i ligjit mbetet një nga kriteret kryesore për pranimin e anëtarëve të rinj në Bashkimin Evropian dhe se vendet aspirante duhet të garantojnë pavarësi dhe qëndrueshmëri financiare të gjyqësorit.

Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski vazhdoi t’i qëndrojë qëndrimit se nuk sheh arsye për rritjen e buxhetit të gjyqësorit. Ai argumentoi se Maqedonia e Veriut tashmë ndan një përqindje më të lartë të PBB-së për drejtësinë sesa shumë shtete anëtare të BE-së. “Në vitin 2022 kemi ndarë 0,39 për qind të PBB-së. Krahasojeni këtë me Francën që ndan 0,2 për qind, Gjermaninë me 0,3 për qind, ndërsa mesatarja evropiane është rreth 0,3 për qind,” tha ai.

Debati për buxhetimin e gjyqësorit u rikthye në qendër të vëmendjes pas raportit të fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, i cili vuri në dukje varësinë financiare të sistemit gjyqësor dhe presionin e mundshëm nga ekzekutivi dhe legjislativi.