Kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të ditur dje, në një intervistë për TV Kanal 5, mundësinë që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian pa të drejtë vote, një zhvillim i parashikuar për vitin 2027. Ky skenar, sipas tij, lidhet me planin e paqes për Ukrainën. Deklarata e shefit të qeverisë vjen vetëm një ditë pasi Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, shprehu dakordësinë e tij për anëtarësimin e Serbisë në BE në të njëjtat kushte, duke reflektuar një qasje të re ndaj integrimit rajonal.
Mickoski detajoi një ide e cila, siç tha ai, po dëgjohet gjithnjë e më shpesh në Bruksel dhe rrethinat e tij. Kjo ide ka në thelb planin e paqes për Ukrainën dhe përfshin një trajektore më të shpejtë të integrimit të Ukrainës në BE, kryesisht për qëllime rindërtimi. Duke e konsideruar këtë qasje si joparimore ndaj Ballkanit Perëndimor, kryeministri prezantoi dy skenarë ku Maqedonia e Veriut është pjesë. Skenari i parë parashikon që Ukraina, bashkë me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të bëhet anëtare e BE-së deri në fillim të vitit 2027, duke marrë vendin e saj në tryezën e bisedimeve dhe duke valëvitur flamurin maqedonas në Bruksel, por pa gëzuar të drejtën e votës. Kjo do të nënkuptonte pjesëmarrje në punën e këshillit, komiteteve dhe organeve të ndryshme, me mekanizma të shumtë për kontroll të brendshëm. Dy kushte themelore për këtë integrim, theksoi ai, janë një politikë e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë, si dhe sundimi i ligjit. Kur u pyet për ndryshimet kushtetuese, Mickoski tha se “supozon se do të jetë kështu”, pasi kjo ishte miratuar nga qeveria e mëparshme.
Përtej integrimit të parashikuar në vitin 2027, skenari i dytë përfshin anëtarësimin e vendeve të tjera të rajonit, si Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Moldavia. Kjo qasje, sipas kryeministrit, po diskutohet jo vetëm në Bruksel, por edhe në forume të rëndësishme si ai i Mynihut. Megjithatë, realizimi i saj varet nga një sërë parametrash, duke përfshirë planin e paqes për Ukrainën dhe konsensusin për një marrëveshje të mundshme paqeje. Bota, vuri në dukje Mickoski, po ndryshon në mënyrë dinamike dhe është thelbësore që vendi të jetë i zgjuar, t’i parashikojë këto ndryshime dhe të përshtatet me to strategjikisht.
Këto deklarata shënojnë një ndryshim të dukshëm në qëndrimin e kryeministrit. Jo më larg se më 5 shkurt, Hristijan Mickoski kishte theksuar në RTVM se qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese mbetej i pandryshuar dhe se ato nuk do të ndodhnin pa garanci të qarta se procesi i integrimit evropian nuk do të shoqërohej me bllokada dhe kushte të reja dypalëshe. Maqedonia e Veriut mbetet aktualisht në një ngërç në rrugëtimin e saj drejt BE-së, për shkak të kontestit me Bullgarinë fqinje. Për të vazhduar përpara, RMV-ja duhet të bëjë ndryshime kushtetuese, të cilat përfshijnë shtimin e bullgarëve dhe etnive të tjera në Kushtetutë. Ky ndryshim kërkon një shumicë prej dy të tretash në parlament, dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa këto ndryshime të jenë bërë. Pavarësisht kësaj, Maqedonia e Veriut, më 19 korrik të vitit 2022, nisi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez më 16 korrik 2022, një propozim i votuar në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme, e cila tani ndodhet në pushtet.

