19 Shkurt 2026 00:43

Dallëndyshe Myftari: Fatmir Limani siguroi mbi 500 punësime për shqiptarët e Manastirit

Kryetarja e Forumit të Gruas të Lëvizjes BESA në Manastir, Dallëndyshe Myftari, përmes një deklarate publike ka shprehur mbështetjen e fuqishme dhe mirënjohjen e thellë për kontributin e ministrit Fatmir Limani në rajonin e Pellagonisë.

Sipas saj, Limani mbetet figura kyçe që riktheu shpresën dhe dinjitetin te shqiptarët e kësaj ane në periudhat më të vështira diskriminuese.

Myftari ka rikujtuar periudhën e errët të para 15 viteve, kur shqiptarët e Manastirit përballeshin me pasiguri institucionale dhe mungesë totale përfaqësimi.

“Thuajse të gjithë nuk flisnin shqip nga frika. Në atë kohë, numri i të punësuarve shqiptarë në TEC-Manastir ishte simbolik – vetëm pesë veta,” shprehet ajo, duke vënë në dukje se ishte pikërisht angazhimi i Limanit që theu këtë barrierë izolimi.

Në qendër të këtij vlerësimi janë veprat konkrete. Falë këmbënguljes dhe betejave institucionale të Fatmir Limanit, sot numri i shqiptarëve në ndërmarrjen strategjike TEC-Manastir ka kaluar shifrën 200, ndërsa në rang rajoni numërohen mbi 500 punësime të siguruara nga artitekti i ndryshimit..

Ky ndryshim rrënjësor nuk shihet vetëm si një sukses administrativ, por si një akt i rikthimit të dinjitetit kombëtar. Myftari thekson se mbështetja e familjeve manastirase për politikat e tij buron nga fakti se ai ishte zëri i atyre që nuk dëgjoheshin.

Sipas drejtueses së Forumit të Gruas, përkrahja për Limanin tejkalon kornizat e thjeshta partiake.

“Respekt dhe falënderim për gjithçka që është arritur deri tani. Kemi besim të plotë në betejat që vazhdojnë për trajtimin e shqiptarëve me dinjitetin që meritojnë,” përfundon deklarata e Dallëndyshe Myftarit.